Lidhje

Vështirësitë e veprimtarëve në Egjipt


Pas një kryengritjeje popullore në vitin 2011 për ndryshim demokratik, Egjipti ka pasur dy qeveri të drejtuara nga ushtria dhe një islamike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Arrott analizon se pse ata që synonin të modernizonin sistemin në Egjipt kanë dështuar deri tani.

Para dy vjetësh, egjiptianët u ngritën kundër Presidentit Hosni Mubarak dhe kërkuan liri, dinjitet dhe drejtësi sociale. Shumë nga të njëjtën njerëz dolën për të protestuar ndaj këshillit ushtarak që e zëvendësoi atë. Dhe ata dolën në rrugë kundër Presidentin Mohamed Morsi, islamisti që u zgjodh të drejtonte vendin.

Nuk ka dyshim që pushteti i protestave është i fortë. Ajo që mungon, është prania në qeveri e shumë prej atyre që morën pjesë në to. Aktivisti Wael Khalil thotë se ky është dështimi më i madh i lëvizjes demokratike.

“Ne kemi qenë në gjendje të kundërshtojmë dhe të sjellim ndryshim, por nuk kemi arritur të imponojmë atë që duam”.

Khalil e di se politika është e rrëmujshme dhe e vështirë dhe ai heziton të angazhohet. Por ai thotë se ata që duan që kryengritja e vitit 2011 të sjellë rezultat,

“Gjithnjë e më shumë njerëz duhet të angazhohen sepse duhet ta realizojmë vetë një gjë të tillë”.

Ata që u përfshinë në politikë, si anëtarë të Frontit Kombëtar të Shpëtimit, u kritikuan gjerësisht si të jo të efektshëm dhe me prirje për grindje të brendshme. Ja ç’thotë analistja Rania al Malky.

“Opozita në Egjipt gjatë vitit të fundit nuk ka qenë asnjëherë ajo lloj opozite konstruktive që ishte në thelb, përkrahëse e revolucionit”.

Opozita e vërtetë thotë ajo, sabotohej rregullisht.

“Ishin revolucionarët në terren mes së cilëve depërtuan kundër-revolucionarët që i takonin ish-regjimit të Mubarakut”.

Ajo beson se forcat kundër-revolucionare kanë fituar përsëri epërsi dhe druhet se situata është rikthyer në gjendjen e para vitit 2011, kur shtypeshin kritikat kundër udhëheqësve.

Përveç masave shtypëse ndaj Vëllazërisë Myslimane, janë ndaluar edhe gazetarë dhe veprimtarë anti-ushtri. Mohamed ElBaradei, nënpresidenti kalimtar dhe udhëheqës i Frontit Kombëtar të Shpëtimit dha dorëheqjen për shkak të gjakderdhjes. Ai është akuzuar për thyerje të besimit kombëtar. Wael Khalil thotë se Egjipti e ka përjetuar këtë gjendje më parë.

“Ne e dimë këtë nga vitet e Mubarakut. Ata filluan me islamistët në vitet 1990 dhe pastaj shteti policor bëhet agresiv dhe brutal kundër të gjithëve”.

Megjithëse dëgjon sesi qeveria mbron atë që quan “luftë kundër terrorizmit”, ai nuk e humb shpresën. Por ai thotë gjithashtu se do të jetë e vështirë në vitet në vazhdim që slogani “liri, dinjitet dhe drejtësi sociale” të bëhet realitet.
XS
SM
MD
LG