Lidhje

Egjipt, referendum për ndryshimin e kushtetutës


Presidenti i përkohshëm i Egjiptit ka vendosur një afat kohor për organizimin e zgjedhjeve parlamentare në fillim të vitit të ardhshëm, të cilat do të pasohen nga zgjedhjet presidenciale.

Në një dekret të lëshuar dje, Adly Mansour tha se brenda pesë muajve do të organizohet një referendum për ratifikimin e ndryshimeve në kushtetutën e vendit.

Sipas dekretit të presidentit, dy muaj pas referendumit për ndryshmet në kushtetutë, do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe pas mbledhjes së parlamentit të ri do të caktohet data e zgjedhjeve presidenciale.

Javën e kaluar, ushtria e Egjiptit shfuqizoi kushtetutën e hartuar nga islamistët duke e hequr nga pushteti presidentin Mohamed Morsi, pas protestave masive kundër pushtetit të tij.

Vëllazëria Myslimane e Egjiptit bëri thirrje për organizimin e më shumë protestave për ditën e sotme, një ditë pasi në përleshjet mes ushtrisë dhe përkrahësve të zotit Morsi në Kajro u vranë 51 njerëz. Zyrtarët ushtarakë thanë se në mesin e të vrarëve ishte një ushtar egjiptian.
XS
SM
MD
LG