Lidhje

Revoltë për brutalitetin e policisë egjiptiane


Mideast Egypt Islamic Summit
Mideast Egypt Islamic Summit
Incidenti i kohëve të fundit, kur një egjiptian u rrah nga policia në Kajro, ka nxjerrë në pah metodat brutale të forcave egjiptiane të rendit si dhe rolin e tyre aktual, dy vjet pas rrëzimit të regjimit policor të Mubarakut: Korrespondentja Elizabeth Arrott njofton nga Kajro.

Dhuna që ka përfshirë Egjiptin që nga muaji i kaluar është për shumë banorë, një fenomen që e njohin mirë. Të rinjtë provokojnë policinë, e cila përgjigjet me akte dhune. Të dyja palët kanë pësuar të vrarë e të plagosur në radhët e tyre, por ka pasur edhe viktima në radhët e kalimtarëve.

Por ishin xhirimet që tregojnë një protestues anti-qeveritar që kanë zgjuar protesta të reja në vend. Në video, shihet 48-vjeçari Hamada Saber para pallatit presidencial, i zhveshur, duke u goditur nga policët. Skenari u bë edhe më revoltues.

Fillimisht, pasi u morr në polici, Saberi tha se e kishin goditur protestuesit dhe se në fakt policia i kishte ardhur në ndihmë.

Por më pas zoti Saber i tërhoqi deklaratat, duke fajësuar policinë për dhunën. Rasti i tij u ngjet incidenteve të ngjashme të kërcënimeve nga policia. Aktivisti politik Wael Khalil shpjegon:

“Ky aparat shtypës nuk ka ndryshuar aspak. Sistemi funksionin me të njëjtat rregullta. Autoritetet nuk mund të preken, nuk mund të ndëshkohen”.

Ministri i brendshëm paralajmëroi se pa policinë, Egjipti do të bëhej një shtet i sunduar nga bandat e armatosura, siç ndodh në disa lagje. Por në një akt të rrallë nga lart, Presidenti Mohamed Morsi premtoi se do të zhvilloheshin hetime për incidentin e rrahjes.

Përkrahësit e presidentit thonë se ekziston një përpjekje e mirëfilltë për të reformuar policinë. Një zyrtar i Vëllazërisë Myslimane, Amr Darrag shprehet se Egjipti ka trashëguar një sistem që ka rolin për të mbrojtur qeverinë nga opozita:

“Po shkojmë në drejtimin e duhur, por ka ende vend për përmirësime në polici”.

Por nuk është e qartë sa ndikim ka zoti Morsi apo sa i gatshëm është ta përdorë këtë ndikim. Ministria e Brendshme është treguar e ngathët edhe për çështje si theksimi i metodave për të kontrolluar turmat në vend të ballafaqimit me forcë.

Një kundërshtar i presidentit tallet me paaftësinë e tij për të vënë nën kontroll policinë, përmes një mesazhi në Twitter: “E vetmja gjë më e keqe se ekzistenca e një diktatori, është një diktator që nuk di të diktojë”.

Megjithëse policia egjiptiane është tepër aktive në disa tubime, ajo nuk shfaqet fare në disa të tjera. Në sheshin Tahrir dhuna është shtuar, sidomos sulmet seksuale ndaj grave nga grupe burrash. Mbrojtja e vetme për gratë ofrohet nga vullnetarë civilë jo nga policia.
Ajo që është e qartë: shtatë muaj pas ardhjes në presidencë të zotit Morsi, egjiptianët presin nga presidenti i tyre të bëjë më shumë.
XS
SM
MD
LG