Lidhje

Egjipt: Ushtria mobilizon tanket


Tensionet duket se u zbutën pak sot pas përplasjeve të djeshme mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të Presidentit Morsi

Ushtria egjiptiane vendosi tanket jashtë pallatit presidencial në Kajro dhe u kërkoi protestuesve të largohen. Megjithatë, tensionet duket se u zbutën pak sot pas përplasjeve të djeshme mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të Presidentit Mohamed Morsi, në të cilat u vranë pesë persona.

Ushtria ka mobilizuar tanke dhe mjete të blinduara përpara kompleksit presidencial.Pesë persona janë vrarë dhe më shumë se 350 janë plagosur në kryeqytetin egjiptian gjatë dy ditëve të fundit të dhunës.

Asnjëra praj palëve nuk duket e gatshme të tërhiqet. Një mbështetës i zotit Morsi akuzoi kundërshtarët e presidentit se po organizojnë grusht shteti kundër legjitimitetit të tij.

"Presidenti po ndërmerr hapa të fortë dhe po na udhëheq për të dalë nga ky tunel i errët”, thotë Said Ashour.

Situata sot duket edhe më e tensionuar, për shkak të vrasjeve dhe plagosjeve të djeshme. Luftimet kanë krijuar vështirësi në jetën e përditshme të banorëve.

Dhuna filloi dje kur mbështetësit islamikë të zotit Morsi sulmuan demonstruesit e opozitës, të zemëruar nga një dekret i nxjerrë nga presidenti muajin e kaluar. Mandati i ri i jep Presidentit fuqi të mëdha që e venë mbi sistemin e drejtësisë.

Përplasjet jashtë pallatit presidencial shënojnë herën e parë që rivalët politikë në Egjipt ndeshen me njëri-tjetrin që nga protestat e vitit të kaluar të cilat rrëzuan ish presidentin autoritar të vendit Hosni Mubarak.

Dje, protestat u përhapën edhe në qytete të tjera egjiptiane. Në Ismailia dhe Suez, zyrave të Vëllazërisë Myslimane të zotit Morsi iu vu zjarri.

Protestuesit e opozitës kërkojnë që zoti Morsi ta anulojë dekretin, të cilin ata e shikojnë si uzurpim të pushtetit. Ata janë gjithashtu kundër një projekt kushtetute që sipas tyre është hartuar nga islamistët pa marrë parasysh sugjerimet e laikëve dhe liberalëve.

XS
SM
MD
LG