Lidhje

Rriten tensionet sektare në Egjipt


Një sulm vdekjeprurës ndaj banorëve të një fshati shiit pranë Kajros, ka nxjerrë në pah një problem tjetër në një Egjipt gjithnjë e më të përçarë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Arrott njofton nga Kairo se vrasjet reflektojnë gjithashtu një kthesë të dhunshmë drejt ndarjes sektare në botën arabe.

Myslimanët shiitë nuk duket se duhet të përbëjnë një kërcënim për shumicën dërrmuese suni, duke pasur parasysh se ata vetë përbëjnë vetëm një për qind të popullsisë.
Por të dielën, një turmë sunish të zemëruar, përfshirë simpatizantë të sektit ultrakonservator Salafi, sulmoi një grup shiitësh në rrethinat e kryeqytetit, duke shkaktuar vdekjen e katër prej tyre.

Forcat e sigurisë thonë se turma i akuzoi ata se po përpiqeshin të përhapnin pikëpamjet e tyre fetare Shiite. Ndërsa të krishterët dhe Bahait thonë se përballen me më shumë diskriminim nën qeverinë e drejtuar nga islamistët, edhe myslimanët shiitë po vihen gjithnjë e më shumë nën shënjestër. Eskperti i shkencave politike Said Sadek i Universitetit Amerikan në Kairo vë në dukje se ligji i ri themeltar i Egjiptit i vë shiitët në disavantazh.

"Ata kanë shumë pak të drejta. Për herë të parë në historinë e Egjiptit, kushtetuta është sektare dhe përqendrohet vetëm tek sunitë. Nuk bën fjalë për shiitët".

Prirja anti-shiite u thellua para disa muajsh, kur presidenti Mohamed Morsi priti udhëheqësit shiitë të Iranit, duke shkaktuar protestat salafiste. Javët e fundit, situata u acarua edhe më shumë, pasi një klerik me peshë suni i Egjiptit u bëri thirrje sunive që të ndërmerrnin xhihad në Siri.

Konflikti sirian ka shkaktuar një valë prirjesh sektare në gjithë rajonin, ndërsa protestat paqësore politike kundër Presidentit Bashar al Assad, i sektit pakicë Allawite, një degë e shiitëve, u kthyen në përçarje fetare brenda dhe jashtë vendit. Shtetet suni të Gjirit kanë mbështetur opozitën, ndërsa Irani dhe grupi militant libanez Hezbollah mbështesin zotin Assad. Ja ç’thotë analistja politike Hala Mustafa.

"Mendoj se Lindja e Mesme po shkon drejt një ndarjeje sektare mes kampit shiit dhe atij suni”.

Por zonja Mustafa, ish redaktore e Revistës për Demokraci vë në dukje se ndarjet e fundit sektare në Egjipt kanë edhe një kënd lokal: një thirrje për unitetin suni në një kohë të rritjes së polarizimit brenda vendit.

Presidenti Morsi, i Vëllazërisë Muslimane ka kërkuar gjithnjë e më shumë mbështetje nga salafët rivalë para protestave anti-qeveritare të planifikuara për më 30 qershor.
Ndërkohë që tensionet shtohen mes islamistëve dhe kundërshtarëve të tyre laike dhe nacionalistë, kreu i ushtrisë së Egjiptit tha se mund të ndërhyjë nësë situate del nga kontrolli.

Për dekada me radhë, forcat e armatosura kishin qenë garantuesit e qendrueshmërisë laike në Egjipt dhe Ministri i Mbrojtjes Abdel Fattah al-Sisi paralajmëroi kundër dhunës sektare. Por nën qeverinë e re, ushtria kaloi nga një pozicion kalimtar qendror në skenën politike, në një pozicion anësor të mbështetur nga Presidenti Morsi, të mbrojtur nga kushtetuta. Analistja politike Mustafa thotë se ndërhyrja e ushtrisë do të nënkuptontë vetëm një gjë dhe nuk do të ishte objektivi fillestar i revolucionit.

"Kjo sigurisht nuk do të jetë në favor të demokracisë. Do të jetë në favor të stabilitetit”.

Dhe në Egjipt thotë ajo, këto janë dy çështje shumë të ndryshme. Por me rritjen e tensioneve sektare dhe pakënqësisë politike që rrezikon të intensifikohet, disa egjiptianë thonë se ky nuk do të ishte rezultati më negativ i pritshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG