Lidhje

Analistët, ngjashmëri mes Egjiptit dhe Turqisë

  • Dorian Jones

Kryeministi i Turqisë po heq një paralele mes grushtit ushtarak të shtetit në Turqi në vitin 1997 që përmbysi qeverinë e udhëhequr nga islamistët dhe zgjedhjeve të parakohëshme si rezultat e trazirave të kohëve të fundit në Egjipt. Disa analistë në Turqi besojnë se reagimi i lëvizjes islamiste në vendin e tyre ndaj ndërhyrjes së ushtrisë mund të shërbejë si shembull i vlefshëm për Egjiptin.


Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan kanë qënë ndër kritikët kryesorë të përmbysjes së Presidentit të Egjiptit Mohamed Morsi nga ushtria.

Në një fjalim të javës së kaluar, ai dënoi përsëri ndërhyrjen e ushtrisë dhe iu referua historisë së Turqisë. Zoti Erdogan ka përvojë personale, pasi i u përmbys kur ishte në postin e kryetarit të bashkisë së Stambollit në vitin 1997, kur ushtria largoi nga posti kryeministrin e parë islamist të Turqisë, Necmettin Erbakan.

Mustafa Akyol, autor i librit "Islami pa ekstreme”, thotë se reagimi i lëvizjes islamiste të Turqisë ndaj ndërhyrjes së ushtrisë, mund të shërbejë si shembull për Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit.

"Ushtira orkestroi gjithçka, u dha udhëzime gjykatave për të hapur çështje kundër politikanëve islamikë apo komentatorëve politikë. Ajo mori nën kontroll universitetet dhe pushoi apo uli në pozitë profesorët me pikëpamje fetare. Tani politikanët që kanë qënë në shënjestër, si Erdogani, kanë marrë mësim. Ata e kuptojnë se retorika e ashpër, kërcënimet ndaj laikëve, sloganet anti perëndimore nuk i ndihmojnë. Ata morën mësim dhe u reformuan. Ata krijuan partinë AKP me një mesazh krejt tjetër”.

Partia AK e zotit Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2002 me një fitore të thellë. Që prej atëhere ajo ka fituar edhe dy zgjedhje të tjera. Sekreti i suksesit të saj ka qënë përgatitja e AKP-s për të tërhequr grupe të ndryshme të shoqërisë. Ajo theksoi angazhimin për të ndjekur politika pro ekonomisë së tregut dhe mbështeti aspiratat e vendit për të hyrë në Bashkimin Evropian, shpjegon Yuksel Tasgin, profesor i politikës në Universitetin Marmara të Stambollit.

"Mësimi i parë në këtë periudhë tranzicioni është se si duhet ndarë pushteti. AKP ishte e aftë të bindëte intelektualët liberalë për programin e saj demokratizues dhe se ata janë gati të hynë në Bashkimin Evropian”.

Suksesi i partisë AK u ndihmua edhe nga fakti se elektorati nuk kaloi në veprime dhune apo protesta masive nëpër rrugë në valën e ndërhyrjes së ushtrisë, thotë shkrimtari Mustafa Akyol.

"Kjo pjesërisht sepse tradita e demokracisë në Turqi është e fortë. Ajo daton që në vitin 1950 me zgjedhjet e para të lira dhe të drejta. Pala islamike e dinte se pas çdo grushti shteti mbahen zgjedhje të lira dhe të drejta, dhe përgjithësisht zgjedhjet i fitojnë ata që ushtria nuk i do. Prandaj ata panë të ardhmen. Ata kuptuan se po të reformoheshin kishin shanse më të mira të fitonin zgjedhjet e ardhshme”.

Por ngjashmëria e Turqisë me Egjiptin qendron tani tek protestat anti qeveritare që kanë zgjatur disa javë. Analisti politik, Kadri Gursel i gazetës turke Milliyet, thotë se protestat e njohura tashmë si Lëvizja Gezi erdhën pasi zoti Erdogan harroi mësimet e të kaluarës, duke braktisur politikat gjithpërfshirëse.

"Që kur ai devijoi nga vlerat e shprehura, si perspektiva evropiane, demokracia laike, ai është përplasur me grupe të tjera të shoqërisë. Kjo provohet nga Lëvizja Gezi”.

Por analistët thonë se ka një mësim nga Egjipti që zoti Erdogan po e përqafon. Ashtu si Vllazëria Myslimane, ai pretendon se është viktimë e konspiracionit kundër demokracisë dhe ai është zotuar se përgjigja ndaj atyre që e kanë organizuar këtë konspiracion do të jetë e fortë.
XS
SM
MD
LG