Lidhje

Egjipt, urdhër qeverisë të hetojë mbi vrasjet

  • Zëri Amerikës

Egjipt, urdhër qeverisë të hetojë mbi vrasjet

Egjipt, urdhër qeverisë të hetojë mbi vrasjet

Këshilli ushtarak në pushtet në Egjip ka urdhëruar qeverinë që të hetojë mbi vrasjen e të paktën 25 vetëve në përleshjet e përgjakshme të djeshme mes mes të krishterëve koptë dhe forcave të sigurisë në Kajro. Shumica e viktimave ishin të krishterë koptë. Të paktën tre prej të vrarëve ishin ushtarë. Gjeneralët që morën pushtetin nga presidenti i përmbysur Hosni Mubarak, përsëritën gjithashtu premtimin për dorëzimin e pushtetit tek institucione civile që do të dalin nga zgjedhjet. Televizioni shtetëror tha se këshilli ushtarak e nxorri urdhrin sot pas bisedimeve urgjente mbi dhunën më serioze që pas ngjarjeve të shkurtit. Zyrtarët nuk thanë nëse të arrestuarit ishin të krishterë apo muslimanë. Kabineti qeveritar mbajti një takim urgjent për të diskutuar situatën e krijuar.

Tensionet janë ende të larta në rrugët e kryeqytetit egjiptian Kajro sot, pas përleshjeve gjatë natës mes të krishterëve, muslimanëve dhe të forcave të sigurisë.

Përplasjet ishin veprimet më të dhunshme sektare që nga kryengritja që përmbysi Hosni Mubarakun në shkurt.

Agjencia zyrtare e lajmeve në Egjipt raportoi se dhjetra persona që“nxitën kaosin” u arrestuan pas përleshjeve të dhunshme, që u shkaktuan nga një sulm i fundit ndaj një kishe në jug të Egjiptit.

Autoritetet sot kanë rritur sigurinë në pika të rëndësishme të qytetit në pritje të rifillimit të trazirave dhe kanë dislokur trupa shtesë jashtë parlamentit dhe ndërtesave tjera të kabinetit qeveritar.

Forcat e policisë janë vendosur edhe jashtë spitalit Kopt ku po mbahen shumica e trupave të pajetë të viktimave.
Ndërkohë, shumë njerëz janë parë jashtë ndërtesës së televizionit shtetëror egjiptian, aty ku edhe filluan problemet, disa persona hidhnin gurë duke goditur makinat që kalonin rrugës.
Një person, që besohet të ishte i krishterë, u pa duke u goditur me grushta nga një grup njerëzish.

Trazirat shpërthyen dje në qendër të Kajros, dhe si pasojë më shumë se 1 mijë forca të sigurisë dhe automjete të blinduara u aktivizuan për të mbrojtur ndërtesën e televizionit shtetëror.

Përleshjet u përhapen nga jashtë ndërtesës së televizionit deri afër sheshit Tahrir, duke tërhequr mijëra njerëz në sheshin e madh që ishte epiqendra e protestave që rrëzoi Hosni Mubarakun.

Protestuesit u përleshën me njëri tjetrin me gurë dhe bomba zjarri.
Protestuesit krishterë thanë se demonstrata e tyre filloi si një përpjekje paqësore për t’u ulur pranë ndërtesës së televizionit. Pastaj, protestuesit thanë se ata u sulmuan nga banditë në rroba civile që hodhën gurë mbi ta dhe janë gjuajtur me plumba.

“Unë jam musliman dhe ne kemi të krishterë të mirë, por ajo që ndodhi natën e kaluar u provokua nga një dorë e padukshme e huaj,- tha një banor i Kajros.

Dhuna shpërtheu edhe sot para spitalit ku shumë nga të plagosurit janë çuar për t’u mjekuar. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Barack Obama është thellësisht i shqetësuar për humbjen e jetëve dhe u bëri thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon lëshoi një deklaratë ku thoshte se ishte “thellësisht i trishtuar” nga dhuna.

Ndërsa ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, që po takohen në Luksemburg po ashtu u shprehën të alarmuar.

XS
SM
MD
LG