Lidhje

Egjipt: Ushtria do ta drejtojë vendin deri në zgjedhjen e një qeverie të re

  • Zëri Amerikës

Egjipt: Ushtria do ta drejtojë vendin deri në zgjedhjen e një qeverie të re

Egjipt: Ushtria do ta drejtojë vendin deri në zgjedhjen e një qeverie të re

Egjiptianët sot kanë vazhduar festimet nëpër rrugë pas dorëheqjes dje të Presidentit Hosni Mubarak, pas 18 ditë protestash me kërkesën për t’i dhënë fund sundimit 30-vjeçar. Numri i njerëzve që ishin mbledhur sot në sheshin Tahrir të Kajros, ku filluan protestat ishte shumë më i vogël, se sa në ditët e protestave.

Ushtarët, me ndihmën e protestuesve, të shndërruar në vullnetarë, pastruan sheshin nga barrikadat e ngritura në shesh dhe rreth ndërtesvae qeveirtare. Pas shpalljes së dorëheqjes së zotit Mubarak nga nënpresidenti Omar Sulejman, turmat e egjiptianëve në Kajro, por edhe në qytete të tjera, shpërthyen në emocione gëzimi, duke festuar me fishekzjarre deri në orët e mesnatës. Tani pushteti ka kaluar në duar e ushtrisë, një forcë që gëzon besimin e popullit egjiptian.

Përmes një deklarate në televizionin shtetëror ushtria tha se ministrat aktualë do të mbeten në pushtet deri në zgjedhjen e një qeverie të re. Ushtria po ashtu u zotua se do të veprojë në përputhje me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, përfshi ato të paqes.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e mirëpriti premtimin e drejtuesve egjiptianë për vazhdimin e respektimit të traktatit të paqes me vendin e tij. Zyrtarët egjiptianë thanë se kryeministri Ahmed Shafiq do të mbajë nesër një konferencë shtypi.

Ish-presidenti Mubarak i kërkoi në fund të janarit zotit Shafiq, ish-ministër i aviacionit, të formonte kabinetin e ri qeveritar, pas fillimit të protestave. Disa egjiptianë janë zotuar se do t’i vazhdojnë protestat për të kërkuar reforma, edhe pse ata thonë se ato nuk do të jenë të përditshme.

Associated Press thotë se protestuesit do të kërkojnë shpërndarjen e Parlamentit dhe krijimin e një komisioni për t’i bërë amendamente kushtetutës së vendit. Edhe sonte, njerëzit vazhduan të qëndronin nëpër rrugët e qyteteve egjiptiane, duke festuar për largimin e zotit Mubarak. Qeveria tha sot se e ka shkurtuar me 4 orë kohën e ndalim-qarkullimit të vendosur që nga fundi i janarit për shkak të protestave.

XS
SM
MD
LG