Lidhje

Egjipt, 13 të vrarë në protesta pro-Morsit


Autoritetet egjiptiane thonë se të paktën 13 vetë u vranë dje në Egjipt, ndërkohë që policia ndërhyri për të shpërndarë mijëra përkrahës të Vëllazërisë Myslimane që kërkojnë kthimin në post të ish-Presidentit Mohamed Morsi.

Dëshmitarët thanë se policia ndërhyri me shpejtësi për të shpërndarë tubimet, që u organizuan në Kajro, Ismalia, Aleksandri dhe Gizë. Autoritetet paralajmëruan më parë se nuk do të toleronin protesta të tjera pro-Vëllazërisë Myslimane, pasi e shpallën këtë grup si organizatë terroriste muajin e kaluar.

Ministria e Shëndetësisë në Egjipt tha se pesë vetë u vranë në Kajro, por nuk tha nëse viktimat ishin policë, protestues apo kalimtarë të rastit. Më shumë se 120 vetë njoftohet se janë arrestuar.

Qeveria që gëzon mbështetjen e ushtrisë, e cila rrëzoi zotin Morsi nga posti në korrik, ka shfrytëzuar etiketikim ‘terrorist’ si justifikim për të arrestuar qindra përkrahës të Vëllazërisë. Mijëra të tjerë, përfshirë udhëheqës të lartë të grupit, janë burgosur gjatë muajve të fundit.
XS
SM
MD
LG