Lidhje

Egjipti pas dhunës së të mërkurës

  • Elizabeth Arrot

Në Egjipt po bëhet numërimi i viktimave nga ofensiva e forcave të sigurisë të mërkurën kundër përkrahësve të ish-presidentit Mohamed Morsi. Zyrtarët qeveritarë thonë se më shumë se 500 vetë, pjesa më e madhe civilë gjetën vdekjen, ndërkohë që Vëllazëria Myslimane thotë se numri i të vrarëve arrin në disa mijëra.

Egjipti është ende i tronditur nga dhuna e së mërkurës. Kanë filluar funeralët për të vrarët nga operacionet e forcave të sigurisë kundër protestuesve anti-qeveritarë.

Megjithëse është vendosur gjendja e jashtëzakonshme, përkrahësit e ish-presidentit islamist Mohamed Morsi dolën dje përsëri në rrugë duke vazhduar konfrontimet.

U sulmuan ndërtesa qeveritare, ndërsa të krishterët koptikë që akuzohen nga protestuesit se mbështetën rrëzimin e zotit Morsi në korrik, po përpiqeshin të pastronin rrënojat e kishave të shkatërruara nga turmat e zemëruara.

Qeveria e përkohëshme e Egjiptit është përpjekur ta justifikojë si veprim të nevojshëm ndërhyrjen kundër dy kampeve të protestuesve të mërkurën në Kairo. Zyrtarët fajësojnë përkrahësit e Vëllazërisë Myslimane të zotit Morsi për dhunën, e cila ka mbërthyer qytete të ndryshme në të gjithë vendin.

Komuniteti ndërkombëtar ka reaguar duke dënuar me forcë operacionet e forcave qeveritare, por shumë egjiptianë të thjeshtë mendojnë se ndërhyrja ishte e nevojshme. Analisti politik Hisham Kassem.

"Ajo që ndodhi ishte tragjike, është një ndër traumat e këtij vendi. Megjithatë egjiptianët duan rikthimin e jetës normale. Ata mendojnë se shteti u tregua mjaft i duruar me protestuesit në Rabaa dhe Nahda dhe përdori të gjitha opsionet para masave të dhunshme”.

Në Egjipt vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme e cila pritet të zgjasë një muaj, së bashku me ndalim-qarkullimin për orët e natës në Kairo dhe disa njësi të tjera administrative. Një numër institucionesh qëndrojnë të mbyllura, përfshirë bankat dhe bursën.

Vëllazëria Myslimane dhe përkrahësit e saj janë betuar të vazhdojnë protestat në çfarëdo forme të nevojshme, gjë që vë në pikëpyetje kthimin e situatës në gjendje normale.
XS
SM
MD
LG