Lidhje

Vëllazëria Myslimane pas zgjedhjeve


Kjo parti ftoi në një takim kandidatët presidencialë që humbën në raundin e parë, në përpjekje për të zgjeruar mbështetjen për kandidatin e saj

Partia Vëllazëria Myslimane në Egjipt, ftoi sot në një takim kandidatët presidencialë që humbën në raundin e parë, në një përpjekje për të zgjeruar mbështetjen për kandidatin e saj, Mohammed Morsi, i cili duket se e ka të garantuar pjesëmarrjen në balotazh kundër kandidatit laik Ahmed Shafiq. Rezultate jozyrtare të zgjedhjeve të së mërkurës dhe të enjtes tregojnë se zoti Morsi ishte në krye, i ndjekur nga afër nga kundërshtari Shafiq.

Një anëtar i lartë i Vëllazërisë Myslimane, Essam el-Erian bëri publike ftesën për takim ndaj 10 kandidatëve të tjerë, duke u kërkuar atyre të shpëtonin “revolucionin”, siç u shpreh ai.

"Kandidati i Vëllazërisë Myslimane Morsi, u ka bërë thirrje kandidatëve presidencialë, një numër të krerëve të partive politike dhe forcave të tjera revolucionare që të marrin pjesë në një dialog që synon të shpëtojë kombin".

Rezultate jozyrtare të zgjedhjeve të së mërkurës dhe të enjtes tregojnë se zoti Morsi ishte në krye, i ndjekur nga afër nga kundërshtari Shafiq.

Një balotazh mes kandidatëve Morsi dhe Shafiq do t’u ofronte egjiptianëve një zgjedhje të qartë.

Zoti Shafiq ishte Kryeministri i fundit i ish-presidentit Hosni Mubarak, përpara se presidenti i mëparshëm të humbte pushtetin për shak të protestave pro-demokracisë, së vitit të kaluar. Ai u emërua kryeministër me shpresën që të qetësonte revoltën popullore. Por kjo lidhje me zotin Mubarak ka bërë që disa aktivistë ta shohin atë me dyshim dhe ka polarizuar votuesit.

Votues të tjerë mendojnë se ai do të siguronte stabilitetin e nevojshëm për vendin.

Agjencia e lajmeve Associated Press thotë se një zëdhënës i zotit Shafiq akuzoi Vllazërinë Myslimane për "vjedhje" të revolucionit nga të rinjtë.

"Unë nuk do të doja që Morsi të fitonte në raundin e parë. Do të preferoja të ishte ish-kryeministri Ahmed Shafiq, në mënyrë që pushteti të shpërndahej, në mënyrë që autoriteti i përgjithshëm të mos të zotërohej vetëm nga një parti, pra të mos të ishte vetëm në duart e Vëllazërisë Myslimane. Unë votova për ta në zgjedhjet parlamentare, por ka nevojë që të ketë shumëllojshmëri. Zoti Shafiq është kandidat i mirë dhe ai ka bërë shumë për vendin".

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen të martën. Balotazhi do të mbahet më datat 16 dhe 17 qershor.

Cilido kandidat që do të fitojë, do të përballet me sfida të mëdha. Ekonomia e Egjiptit është shkatërruar – kryesisht sepse industria kryesore, ajo e turizmit, është pakësuar shumë – krimi është rritur dhe grevat e punëtorëve janë shtuar.
XS
SM
MD
LG