Lidhje

SHBA-Egjipt, pranë marrëveshjes për ndihmë


Paketa e ndihmave synon t’i vijë ndihmë ekonomisë së dobët egjiptiane dhe tranzicionit të vendit drejt demokracisë.

Shtetet e Bashkuara janë pranë arritjes së një marrëveshjeje me qeverinë e re të Egjiptit për një paketë ndihmash amerikane dhe ndërkombëtare me vlerën e 1 miliardë dollarëve, që do ta ndihmonte Kairon të paguante borxhin e madh.

Paketa e ndihmave synon t’i vijë ndihmë ekonomisë së dobët egjiptiane dhe tranzicionit të vendit drejt demokracisë. Një ekip diplomatësh amerikanë me eksperiencë shkuan javën e kaluar në Kairo, për finalizimin e marrëveshjes, e cila është vonuar për shkak të trazirave politike në Egjipt, si dhe të hapave të matur të Washingtonit për të shpërblyer udhëheqjen e re islamike egjiptiane.

Borxhi i Egjiptit ndaj Shteteve të Bashkuara e kalon vlerën e 3 miliardë dollarëve. Zyrtarë të lartë amerikanë thanë se këtë muaj pritet të njoftohet marrëveshja përfundimtare. Negociatat mes të dy palëve zhvillohen ndërsa një delegacion tregtar me përfaqësues nga më tepër se 40 biznese amerikane po shqyrton mundësinë e investimit në Egjipt dhe shkon atje në fund të kësaj jave.

Presidenti egjiptian Mohamad Morsi, i mbështetur nga Vëllazëria Myslimane, ka thënë se përparësia e tij është krijimi i vendeve të punës dhe mbështetja e ekonomisë së vendit në vështirësi, që u godit rëndë pas kaosit të krijuar nga revolucioni i vitit 2011. Dy javë më parë zoti Morsi i kërkoi FMN-së një hua me vlerën e 4,8 miliardë dollarëve. Arabia Saudite dhe Qatari i kanë dhënë Egjiptit ndihmën e emergjencës, ndërsa Kina i ka oruar shumën e 200 milionë dollarëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG