Lidhje

Egjipt: Pritet marshimi i mbi një milion protestuesve, ndërsa ushtria zotohet të përmbahet


Egjipt: Pritet marshimi i mbi një milion protestuesve, ndërsa ushtria zotohet të përmbahet
Egjipt: Pritet marshimi i mbi një milion protestuesve, ndërsa ushtria zotohet të përmbahet

Ushtria e Egjiptit thotë se i pranon “kërkesat legjitime” të popullit egjiptian dhe se është zotuar se nuk do të shtijë kundër protestuesve që priten të mbushin qendrën e Kajros sot për “marshimin e një milion vetëve” drejt pallatit të Presidentit Hosni Mubarak.

Për sot është paralajmëruar edhe një grevë e përgjithshme dhe një protestë e dytë masive në qytetin port të Aleksandrisë në veri të vendit.

Shërbimi kombëtar i hekurudhave u ndërpre dje, gjë që disa e konsiderojnë si përpjekje të autoriteteve për të parandaluar banorët e viseve rurale t’u bashkëngjiten protestuesve nëpër qytete. Një ndërprerje e paprecedent e internetit po vazhdon sot për të pestën ditë.

Deklarata e ushtrisë u bë ndërkohë që dhjetëra mijëra egjiptianë po vijonin protestat në sheshin Tahrir të Kajros, duke shpërfillur për të pestën natë ndalim-qarkullimin e shpallur nga qeveria.

Nënpresidenti i sapo-emëruar i Egjiptit tha se zoti Mubarak iu kishte lutur që të fillonte bisedime të menjëhershme me të gjitha “forcat politike” rreth reformave kushtetuese e ligjore. Omar Suleiman, prej kohësh njeri i besuar i zotit Mubarak, nuk tha se çfarë nënkuptonin ndryshimet ose se me cilat grupe do të kontaktonte qeveria.

Gazeta The Wall Street Journal njoftoi se partitë opozitare thonë se nuk do të negociojnë përderisa zoti Mubarak të qëndrojë në detyrë.

Një komitet i krizës i koalicionit të sapoformuar të opozitës në Egjipt u mblodh dje për të diskutuar strategjinë e vet në pritje të dëbimit të zotit Mubarak.

XS
SM
MD
LG