Lidhje

Përkrahësit e Morsit marshojnë në Kajro


Dhjetëra mijëra përkrahës të presidentit të rrëzuar egjiptian Mohamed Morsi marshuan në Kajro sot duke kërkuar rikthimin e tij në pushtet, edhe pse qeveria e përkohshme kërcënoi se do të shpërbënte kampet e tyre protestuese.

Televizioni shtetëror njoftoi sot se policia egjiptiane po planifikon të bllokojë hyrjen në kampin Rabaa al-Adawiya në veri të kryeqytetit.

Po sot, disa mijëra përkrahës të Vëllazërisë Myslimane brohoritën parrulla pro-Morsit në kampin protestues.

Një udhëheqës islamik, Ahmed Hassan, i tha turmës se përkrahësit e ish-presidentit egjiptian janë gati “të derdhin gjaku e tyre për të risjellë zotin Morsi” dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare të Egjiptit.

Dëshmitarët thonë se përkrahësit e Vëllazërisë kanë ngritur thasë me rërë dhe barriera prej tullash për të parandaluar hyrjen e forcave të sigurisë në kamp. Një grup që e quan veten Zëri i Grave Egjiptiane ka paralajmëruar se Vëllazëria Myslimane është duke u përgatitur që të përdorë gratë dhe fëmijët si "mburoja njerëzore" për të mbrojtur kampet e saj protestues dhe udhëheqësit e fshehur brenda.

Këto probleme kanë përhapur shqetësime për dhunë në të ardhmen, dhe organizata Human Rights Watch bëri thirrje sot për të ndaluar planet e menjëhershme për shpërbërjen e protestave me dhunë.
XS
SM
MD
LG