Lidhje

Shkëmbime zjarri në Kajro


Police and pro-Egyptian government supporters struggle outside al-Fath mosque in Cairo, August 17, 2013.
Police and pro-Egyptian government supporters struggle outside al-Fath mosque in Cairo, August 17, 2013.
Në Egjipt, forcat e sigurisë bastisën një xhami të Kajros, ku qindra mbështetës të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi u përpoqën të kërkojnë mbrojtje pas përleshjeve ashpra të së premtes në kryeqytet.

Gazetarët jashtë xhamisë thanë se forcat e sigurisë shkëmbyen zjarr me një person i cili qëlloi kundër tyre nga lart, brenda minares, por është e paqartë se kush shtiu i pari.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin forcat e sigurisë duke hapur zjarr jashtë xhamisë Al-Fatah pas një shkëmbimi intensiv me të shtëna armësh. Nuk dihet nëse brenda xhamisë ka ende njerëz.

Mediat arabe transmetuan pamjet që tregonin forcat e sigurisë duke qëlluar ndaj xhamisë si dhe skenat e kaosit brenda ndërtesës ndërkohë që njerëzit përpiqeshin të mbroheshin.

Ndërkohë, një turmë e madhe protestuesish dolën sot në rrugë në një pjesë tjetër të Kajros, duke hedhur parulla kundër qeverisë dhe ushtrisë.

Mbështetësit e Vëllazërisë Myslimane të zotit Morsi ishin ngujuar në xhami pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen kudo në Egjipt të premten, e cila u quajt "Dita e Zemërimit".

Hazem el-Beblawi, i emëruar kryeministër i përkohshëm pas rrëzimit nga ushtria të zotit Morsi, i cili vazhdon të jetë në paraburgim, tha se qeveria po punon për të arritur harmoninë "dhe pajtimin." Por, ai shtoi, se kjo nuk përfshin ata që i kanë "duart e lyera me gjak."

INCIDENTI VJEN PAS NJË NATE TË QETË

Një qetësi ogurzezë ra mbrëmë mbi kryeqytetin egjiptian, pasi banorët u kthyen në shtëpi për të respektuar ndalim-qarkullimin për orët e natës. Qetësia e brishtë pason një ditë të dhunshme kur pjesa më e madhe e vendit ishte e përfshirë në trazira që lanë dhjetëra të vdekur.

Përleshjet sporadike mes përkrahësve të Vëllazërisë Myslimane i lanë vendin një qetësie të papritur në orët e mbrëmjes kur hyri në fuqi ndalim-qarkullimi. Megjithë qetësinë që mbizotëronte, në ndërtesa të ndryshme të kryeqytetit egjiptian vazhdonin të digjeshin zjarre.

Zyrtarë të Vëllazërisë Myslimane njoftuan dje se organizata e tyre do të vazhdonte protestat deri në përfundim të javës. Ata këmbëngulin se përkrahësit e tyre do të vazhdonin marshimet në të njëjtat rrugë deri sa të rikthehet në post Presidenti Mohamed Morsi.

Ndërkaq qeveria e përkohëshme e Egjiptit njoftoi se do të takohej sot pasdite për të diskutuar konfliktin. Qeveria këmbëngul se po ballafaqohet me një komplot terrorist nga Vëllazëria Myslimane. Po ashtu autoritetet kritikuan reagimin ndërkombëtar që ka dënuar shtypjen e protestave.

Egjipti thirri ambasadorin e tij në Turqi pas një numër komentesh të ashpra nga kryeministri Reçep Taip Erdohan. Ushtria egjiptian ka anuluar manovrat detare me marinën turke. Ndërkaq të enjten, Presidenti Barak Obama anuloi manovrat e përbashkëta ushtarake amerikano-egjiptiane.

Dhjetëra vetë u vranë nga dhuna e djeshme. Ndërkaq të mërkurën disa qindra përkrahës të Vëllazërisë Myslimane gjetën vdekjen kur forcat e sigurisë ndërhynë për të hequr kampet e protestuesve. Nënpresidenti i përkohëshëm Mohamed ElBaradei dha dorëheqjen pas ndërhyrjes, duke thënë se nuk donte të mbante përgjegjësi për gjakderdhjen.

Gjenerali egjiptian në pension Hossam Soweillam tha për televizionin al Arabiya se Vëllazëria Myslimane po ndërmerrte akte terroriste duke shtuar se kjo organizatë ka një histori të gjatë dhune. Përkrahësit e Vëllazërisë sulmuan një numër ministrish të martën, para se të sulmoheshin dy kampet.

Një klerik i njohur islamik tha lutjet e së premtes në televizion, duke u bërë thirrje egjiptianëve të heqin dorë nga dhuna dhe udhëheqësve të vendit të ulen në tryezën e negociatave.

Kleriku i paralajmëron egjiptianët të mos përfshihen në dhunë sektare, në gjakderdhje dhe të mos marrin jetë të pafajshme në asnjë rrethanë.

Heba Morayef e organizatës Human Rights Watch tha për Zërin e Amerikës se përdorimi i municionit të rregullt nga policia “nuk është mënyra e duhur për të vepruar” dhe u bëri thirrje forcave të rendit të tregohen sa më të rezervuar dhe të duruar. Ndërkaq, kanalet satelitore arabe kanë njoftuar se janë sulmuar dhjetëra stacione policore dhe se policë dhe ushtarë janë vrarë në Kairo dhe qytete të tjera.

Zonja Morayef u bëri thirrje policëve të marrin masa për të shmangur dhunë të mëtejshme, veçanërisht kundër kishave të krishterëve koptikë.

“Diçka tjetër që kërkojmë nga policia është një ndërhyrje efektive për të mbrojtur kishat, pasi gjatë ditëve të fundit mbi 30 kisha janë sulmuar në të gjithë vendin. Kjo është përgjegjësi e policisë. Ata duhet ta kishin parashikuar se do të kishte dhunë sektare”.

Kanali satelitor egjiptian tregonte pamje të një kishe në lagjen Shubra të Kairos pak para se të digjej dje, pasi kishte hyrë në zbatim ndalim-qarkullimi i vendosur nga autoritetet.
XS
SM
MD
LG