Lidhje

Egjipt: Vazhdojnë protestat e përkrahësve të ish-Presidentit Morsi


Në Egjipt, përkrahësit e Presidentit të përmbysur Mohamed Morsi i vazhduan edhe sot protestat kundër të tranzicionit politik në vend, pas krijimit të një kabineti të ri kalimtar pa përfaqësues të partive islamike.

Demonstruesit në rrugët e Kairos, jashtë ndërtesave qeveritare, kërkonin kthimin në pushtet të zotit Morsi. Në Amman, sekretari amerikan i shtetit John Kerry i tha gazetarëve se administrata Obama po shqyrton në se përmbysja e zotit Morsi këtë muaj nga ushtria në Egjipt duhet konsideruar si grusht shteti.

Në se po, Washingtoni do të duhet të ndalojë ndihmën prej 1,5 miliardë dollarësh ndaj këtij vendi. Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, po viziton kryeqytetin egjiptian, ku është takuar me kryeministrin Hazem el-Biblawi dhe presidentin e përkohshëm, Adly Mansour.

Ndryshe nga i dërguari amerikan William Burns, që ishte në Egjipt në fillim të javës, zonja Ashton pritet të takohet me figura të rëndësishme të Vëllazërisë Myslimane të zotit Morsi. Ky grup islamik kërkon rikthimin në pushtet të zotit Morsi dhe ka refuzuar të bëhet pjesë e qeverisë së re.

Qeveria e re kalimtare, e përbërë kryesisht nga elementë liberalë dhe tekonokratë, ka 7 figura nga administrata e mëparshme, përfshirë shefin e ushtrisë, që rrëzoi nga pushteti zotin Morsi, i cili është Ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër. Në kabinetin e ri do të ketë edhe 3 gra ministre, e shëndetësisë, informacionit dhe mjedisit.
XS
SM
MD
LG