Lidhje

Morsi: Nuk lejojmë sulme ndaj ambasadave të huaja


Presidenti i Egjiptit Mohamed Morsi u betua sot të mos lejojë sulme ndaj ambasadave të huaja në Kairo. Populli i Egjiptit, u shpreh ai, u kundërvihet akteve të tilla të paligjshme. Presidenti Morsi ndodhet në Belgjikë me shpresën për të marrë mbështetjen e Bashkimit Evropian për reforma strukturore për ekonominë e rrënuar egjiptiane.

Zoti Morsi zhvilloi sot një konferencë për shtyp me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Ai u betua në komentet e tij të ndalë sulmet ndaj shtetasve dhe interesave të huaja në Egjipt:

“E dimë se nëse dikush vret pa arsye, është njësoj sikur ai individ të ketë vrarë gjithë njerëzimin. Është përgjegjësia jonë të mbrojmë pronën, është detyra e të gjithë anëtarëve të qeverisë egjiptiane. Ne duhet të mbrojmë të gjithë vizitorët, turistët, ambasadat dhe misionet diplomatike në Egjipt,” tha zoti Morsi.

Presidenti egjiptian dënoi gjithashtu filmin anti-mysliman që u bë shkas për sulmet e dhunshme ndaj ambasadës amerikane në Kajro dhe konsullatës në Bengazi të Libisë.

“Në Egjipt dhe kudo në botën arabe popullata është e revoltuar nga ato që ndodhën. Ata që realizuan filmin që ofendon Profetin Muhamet i dënojmë me forcë. Kundërshtojmë të gjithë ata që dalin me parulla të tilla, me provokime të tilla dhe nxisin këtë formë urrejtjeje. Ju garantoj se pas bisedës me Presidentin Obama kuptova që edhe populli amerikan është kundër kësaj”.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, zoti Morsi dhe Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso i bënë gjithashtu thirrje Presidentit të Sirisë Bashar al-Asad të japë dorëheqjen, në mënyrë që të ndalet dhuna civile në vend. Ka ardhur koha, u shprehën ata, për tranzicionin drejt një demokracie gjithë-përfshirëse.
XS
SM
MD
LG