Lidhje

Dilema mes egjiptianëve për zgjedhjen e presidentit

  • Elizabeth Arrott

Për disa prej tyre bëhet fjalë për votimin e alternativës më pak të keqe

Në Egjipt sot po votohet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku kandidatë janë ish kryeministri Ahmed Shafiq dhe përfaqësuesi i grupimit Vëllazëria Myslimane, Mohamed Morsi.

Qendrat e votimit u hapën sot mes tensioneve politike, pas vendimit në fillim të javës të Gjykatës Kushtetuese, që hodhi poshtë një ligj të miratuar nga Parlamenti i udhëhequr nga islamikët. Ligji u ndalonte zyrtarëve të lartë të qevrisë së Hosni Mubarakut, si zoti Shafiq, të mbajnë post shtetëror.

Disa drejtues islamikë e akuzuan këshillin ushtarak që drejton vendin se e ka përdorur gjykatën për një grusht shteti de fakto. Por këshilli tha se zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen, sipas planit.

Pas shpresave të raundit të parë të zgjedhjeve të para pas revolucionit në Egjipt, një debat i hidhur është ndezur mes shumë votuesve lidhur me ato që ata konsiderojnë merita, apo mangësi të dy kandidatëve në raundin të dytë.

Vitin e kaluar, turmat në Sheshin Tahrir ishin euforike. Ato kishin përmbysur presidentin që kishte qenë në pushtet për 30 vjet.

Entuziazmi i revolucionit ishte ende i pranishëm në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Egjiptit, ku morën pjesë 13 kandidatë dhe për shumë nga votuesit ishte hera e parë që ishin në gjendje të zgjidhnin.

Por frytet e kësaj përpjekjeje, një balotazh mes islamistit Mohamed Morsi dhe një kandidati që ishte pjesë e regjimit të kaluar, Ahmet Shafiq, kanë rezultuar të hidhura për shumë vetë.

Shumica e egjiptianëve nuk votoi për asnjërën nga alternativat. Me afrimin e raundit të dytë, shumë prej tyre ishin përballë një vendimi jo shumë inkurajues, për të zgjedhur të keqen më të vogël.

Ekspertit të shkencave politike Said Sadek nuk i pëlqen qeverisja e vjetër, të cilën ai e quan “fashizëm ushtarak”. Por ai thotë se alternativa tjetër është edhe më e keqe.

“Kur flasim për politikë, flasim për pikëpamje të ndryshme. Kur flet për fenë, ke të bësh me absolutizma”.

Ai sjell shembuj nga regjimet fetare në vende të tjera.

“A do të përsërisim revolucionin Iranian dhe atë që bënë laikët dhe liberalët iranianë? Nga urrejtja për shahun ata bashkëpunuan me një grup politik edhe më të keq që në fund të fundit i masakroi?”

Për dekada me radhë Vëllazëria Myslimane e ka dënuar publikisht dhunën. Por edhe mes egjiptianëve që e konsiderojnë këtë grup më pak të neveritshëm sesa regjimin ushtarak, premtimi i saj për moderim nuk është shumë bindës”.

Rania el Malki është analiste dhe mbrojtëse e revolucionit.

“Vëllazëria myslimane thotë një gjë sot dhe ndryshon mendje nesër. Të njëjtën gjë bënë edhe kur zgjodhën kandidatin e tyre për president”.

Megjithë rezervat e saj, el Malki thotë se të paktën ka shpresa se angazhimi që ka shprehur Vëllazëria Myslimane për liritë civile është më mire sesa shtypja e gardës së vjetër.

“Ne jemi përballë dy të këqiave dhe me zgjedhjen e së keqes më të vogël ka shpresë se mund të ndodhë një mrekulli. Unë do preferoja që të rrezikoja me këtë shpresë, sesa të shkonim mbrapsht aty ku ishim më 24 janar 2011”.

Ajo që e shton ankthin, është mundësia e një kombinimi të dy të këqijave.

“Unë i druhem më shumë një aleance mes fashizmit ushtarak dhe fashizmit fetar dhe kjo prirje ka qënë e pranishme që nga fillimi i revolucionit”.

Megjithëse jo të gjithë janë pllakosur nga ky pesimizëm, kjo ndjesi është e përhapur tek shumë vetë, jo vetëm në Egjipt por në të gjithë rajonin, ku shpresat e Pranverës Arabe e kanë humbur shkëlqimin nga realitetet politike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG