Lidhje

Udhëheqësit e përkohshëm në Egjiptit bëjnë betimin


Udhëheqësit e përkohshëm ushtarakë të Egjiptit bënë betimin, duke u bërë kabineti i parë qeveritar, pas largimit nga pushteti rreth dy javë më parë i Presidentit islamik Mohamed Morsi, për shkak të demonstratave kundër tij. Kabineti i ri ministror ka 7 figura nga administrata e mëparshme, përfshirë shefin e ushtrisë, që rrëzoi nga pushteti zotin Morsi. Ai do të jetë Ministër i Mbrojtjes dhe njëkohësisht zëvendës kryeministër.

Në kabinetin e ri do të ketë edhe 3 gra ministre, ajo e shëndetësisë, informacionit dhe e mjedisit. Ky zhvillim ndodh, pas përleshjeve gjatë natës ndërmjet forcave të sigurisë dhe mbështetësve të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi, që kanë lënë të paktën shtatë të vdekur dhe 261 të plagosur. Luftimet shpërthyen mbrëmë dhe zgjatën deri sot në mëngjes kryesisht në qendër të Kajros, ndërkohë që mbështetësit e Morsit vazhdojnë të kërkojnë kthimin e tij në pushtet.

Policia përdori gaz lotsjellës kundër përkrahësve të Morsit, të cilët u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë. Demonstruesit bllokuan gjithashtu Sheshin Ramses dhe një urë të Kajros, duke u sulmuar me gaz lotsjellës nga forcat e sigurisë dhe duke u sprapsur prej tyre.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sharon Behn, protesta ndodh ndërkohë që Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit William Burns ishte në Kajro për bisedime me udhëheqësit e rinj të qeverisë së përkohshme.

"Policia u përpoq t'i mbajë të ndara të dyja palët, ata që mbështesin Mohamed Morsin dhe ata që përkrahën rrëzimin e udhëheqësit mysliman me anë të ushtrisë. Zëvendës Sekretari i Shtetit William Burns i cili ishte në Kajro për bisedime, tha se vetëm egjiptianët mund ta vendosin të ardhmen e tyre."

Zoti Burns është zyrtari i parë i lartë amerikan që viziton vendin që kur ushtria egjiptiane rrëzoi zotin Morsi rreth dy javë më parë.

Udhëheqësit e grupit islamik të zotit Morsi, Vëllazëria Myslimane, kanë deklaruar se do t'i shkallëzojnë protestat. Demonstrata u zhvilluan në të gjithë Egjiptin, përfshirë edhe në Aleksandri.

Administrata e Shteteve të Bashkuara është kritikuar si nga mbështetësit ashtu edhe nga kundërshtarët e Morsit për atë që secila palë e sheh si mbështetje amerikane për palën tjetër.

Presidenti i përkohshëm Adly Mansour ka hartuar një kalendar për zgjedhje të reja. Vëllazëria Myslimane ka thënë se nuk do të marrë pjesë në asnjë qeveri të përkohshme.

Qysh prej largimit nga pushteti, zoti Morsi vazhdon të mbahet në një vend të fshehtë, ndërkohë që një numër eksponentësh të lartë të Vëllazërisë Myslimane ndodhen në paraburgim.

Autoritetet nuk e kanë akuzuar ish-presidentin për ndonjë vepër kriminale, por ata thonë se janë duke hetuar një seri ankesash kundër tij, si spiunazh dhe shkatërrim të ekonomisë.

BURNS: SHBA NUK DO TË PËRPIQEN TË IMPONOJNË MODELE

Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, William Burns, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të përpiqen të imponojnë modelin e vet të demokracisë në Egjipt dhe se vetëm egjiptianët mund ta vendosin të ardhmen e tyre. Ai është i pari zyrtar i lartë amerikan që viziton vendin pas rrëzimit të zotit Morsi.

“Mesazhi im ështe i thjeshtë: Shtetet e Bashkuara mbeten thellësisht të angazhuara ndaj suksesit demokratik të Egjiptit dhe begatisë së tij. Ne duam një Egjipt të fortë, të qëndrueshëm, demokratik, gjithepërfshirës dhe tolerant”.

Ai u tha gazetarëve se në Egjipt nuk rrezikon të përsëritet tragjedia e Sirisë, sepse udhëheqësit egjiptianë i kuptojnë rreziqet e polarizimit të tepruar, duke shtuar se “kyçi i suksesit është sigurimi i ndjesisë së gjithëpërfshirjes në çdo fazë të tranzicionit politik.”

Departamenti i Shtetit tha se në të gjitha takimet e tij, zoti Burns do të nënvizojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për popullin egjiptian, dhënien fundt të dhunës dhe për një tranzicion demokratik gjithepërfshirës, i cili do të rezultonte me zgjedhjen e një qeverie civile demokratike.
XS
SM
MD
LG