Lidhje

Protesta pro dhe kundër vendimeve të presidentit Morsi


Në Sheshin Tahrir të Kairos rifilluan sot protestat anti-qeveritare, për të shprehur kundërshtimin ndaj projekt kushtetutës së miratuar dhe një dekreti presidencial që i jep presidentit Mohamed Morsi kompetenca të jashtëzakonshme. Ndërkohë edhe mbështetësit e presidentit Morsi dhe Vëllazërisë Myslimane zhvilluan protesta në Aleksandri dhe para Universitetit të Kairos në mbështetje të projekt kushtetutës dhe dekretit të preisdentit.

Protestuesit në Sheshin Tahrir janë kundër projekt kushtetutës së re të miratuar nga një panel i mbizotëruar nga islamikët.

“Protesta do të zgjerohet deri sa Morsi të largohet, sepse ai nuk është personi i duhur për nxjerrjen e ligjeve. Populli e zgjodhi atë për të reformuar vendin, e jo për të hartuar një kushtetutë për veten e tij. Ne duam që ai të bëjë reforma për vendin”.

Ndërkohë, gjyqtarët e Gjykatës Shtetërore të Egjiptit iu bashkuan grevës së anëtarëve të gjyqësorit, të cilët kanë ndalur punën në gjykatat për të protestuar kundër dekretit presidencial që i zgjeron kompetencat e presidentit. Nënkryetari i gjykatës shtetërore, Hamdy Jasin, tha se presidenti e ka tejkaluar autoritetin e tij, duke braktisur legjitimitetin kushtetues.

“Gjyqtarët kanë pezulluar punën në zyrat shtetërore dhe gjyqësore në të gjitha gjykatat, përveç në rastet urgjente, përfshirë gjykatën e parë administrative të qarkut, dhe nuk do të marrin paga gjatë kohës së pezullimit”.

Presidenti Morsi tha të enjten në televizionin shtetëror se dekreti i tij do të skadojë menjëherë pasi njerëzit të votojnë për kushtetutën e re. Por opozita nuk është e bindur. Disa protestues, përfshirë Soha Rabieh Abdel, thonë se zoti Morsi nuk është president i të gjithë egjiptianëve siç pretendon ai.

“Unë nuk e di se si ka fituar ai. Ky nuk është presidenti ynë. Ai është president i Gazës, dhe ne kemi ardhur për të shprehur opinionin tonë: ne nuk e duam atë dhe as kushtetutën e tij”.

Presidenti Morsi njoftoi dekretin e tij një ditë pasi ai u lavdërua nga ndërkombëtarët për ndërmjetësimin e armëpushimit mes Izraelit dhe udhëheqësve palestinezë të Hamasit në Gaza.
Edhe mbështetësit e zotit Morsi dolën në protesta në Aleksandri dhe në Universitetin e Kairos. Protestuesi pro-Morsit në Aleksandri, Ahmed Kamal thotë se vendimet e presidentit janë në interesin e të gjithë egjiptianëve.

“Aleksandria dhe të rinjtë mbështesin vendimin e presidentit dhe pasi i kemi dhënë njerëzve një mundësi të madhe për të shkuar në Sheshin Tahrir për të shprehur mendimet e tyre kundër vendimit, edhe ne që e mbështesim atë themi se kjo është demokracia”.

Një panel i mbizotëruar nga elementë islamikë dje miratoi një projekt-kushtetutë për Egjipitin, pa pjesëmarrjen e anëtarëve liberalë dhe të krishterë. Presidenti Morsi nga mesi i dhjetorit pritet ta hedhi në referendum projekt-kushtetutën e miratuar.
XS
SM
MD
LG