Lidhje

Zgjerohen protestat në Egjipt, megjithë hapat e qeverisë drejt reformave

  • Luis Ramirez

Zgjerohen protestat në Egjipt, megjithë hapat e qeverisë drejt reformave

Zgjerohen protestat në Egjipt, megjithë hapat e qeverisë drejt reformave

Dhjetëra mijëra njerëz kanë vërshuar sheshin Tahrir të Kajros, duke i dhënë shtytje të re demonstratave antiqeveritare që kanë hyrë në javën e tretë. Protestuesit po vazhdojnë t’i bëjnë trysni Presidentit Mubarak që të japë dorëheqje, përkundër një njoftimi të martën se qeveria e tij po bën lëshime të reja. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Luis Ramirez, njofton.

Njoftimi kishte për qëllim t’i nxiste protestuesit që të ktheheshin në shtëpi dhe të prisnin që Presidenti Mubarak të largohej nga pushteti pas shtatë muajsh, siç ka thënë se do të veprojë.

Megjithatë, dhjetëra mijëra njerëz u nisën të martën për në sheshin Tahrir, ku mijëra të tjerë kanë ngritur tendat e tyre.

Nënpresidenti i sapoemëruar Omar Suleiman u përpoq të martën të parashtronte planin për, siç u shpreh, bartjen paqësore të pushtetit, të cilën e kërkon Presidenti Mubarak. Zoti Suleiman tha se presidenti egjiptian ka ngritur komisione për të shqyrtuar ndryshimin e kushtetutës së Egjiptit dhe për të hetuar dhunën e javës së kaluar mes përkrahësve të Mubarakut dhe protestuesve antiqeveritarë.

Nënpresidenti i siguroi demonstruesit, shumë prej të cilëve janë të rinj, duke u thënë se zoti Mubarak beson që të rinjtë meritojnë të çmohen dhe ka udhëzuar që protestuesit të mos ndiqen ligjërisht e as të mos vihen kufizime ndaj tyre ose lirisë së tyre për t’u shprehur.

Njoftimi i qeverisë dhe vala e re e protestuesve ndodhën ndërkohë që pjesa më e madhe e Kajros dukej se po i kthehej veprimtarisë normale, pasi bankat dhe dyqanet u rihapën këtë javë dhe njerëzit u kthyen në punë për herë të parë pas disa ditëve. Zoti Mubarak ka bërë disa lëshime që prejse filluan demonstratat në fund të janarit, së pari duke caktuar një nënpresident e pastaj duke njoftuar se nuk do të kandidohej për rizgjedhje. Pastaj, ai lejoi dorëheqjen e udhëheqësve kryesorë të partisë së tij dhe më vonë rriti pagat dhe pensionet e punonjësve të sektorit publik.

Mirëpo përpjekja e qeverisë për të hartuar një plan për ndryshime kushtetuese dhe bartja e ngadaltë e pushtetit nuk po i kënaq kundërshtarët, përfshirë demonstruesit si ky predikues mysliman:

“Qëllimi i demonstruesve nuk është vetëm të përmbysin sistemin, por të ndryshojnë sistemin. Nuk kërkoj ndryshimin e emrave, caktimin e një nënpresidenti apo reforma partiake.”

Protestat kanë vazhduar dhe janë rritur përkundër lëshimeve të qeverisë, duke shtuar paqartësitë për të ardhmen politike të Egjiptit.

XS
SM
MD
LG