Lidhje

“Shteti i thellë” në Egjipt

  • Elizabet Arrot

Ndërsa Egjipti lëkundet nga ndarjet e thella dhe të dhunshme politike, i hedhim një vështrim sfidave të mëdha që ka ende përpara kombi që po përpiqet të plotësojë premtimet e revolucionit të vitit 2011. Disa analistë thonë se institucionet e fuqishme në Egjipt njëkohësisht pengojnë luftën dhe ofrojnë shpresën se një qeveri kompetente mund të jetë në gjendje të kapërcejë situatën.

Ndarjet që kanë përfshirë Egjiptin shpesh portretizohen si një luftë mes atyre që janë pro dhe kundër presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi. Por për ata që janë në anën e zotit Morsi, duket se ekziston një lojtar shumë më ogurzi në skenë – lëvizja kundër përparimit të arritur në Egjipt që nga kryengritja e vitit 2011.

“Sapo filloi Revolucioni i 25 janarit, filloi edhe një konspiracion kundër tij. Ka një shtet të thellë. Ka korrupsion. Ka filluar gjithashtu një kundër-revolucion.”

Mohamed Soudan i krahut politik të Vëllazërisë Muslimane thotë se ky “shtet i thellë” synon të rigjallërorë cdo gjë që protestuesit në Sheshin Tahrir u përpoqën të shfarrosin dy vjet më parë.

“Tani po rikthehet shteti policor, po rikthehet shteti ushtarak. Konspiracioni i ish regjimit, regjimit të Mubarakut po kthehet shumë i fuqishëm. Ata po përpiqen të kthejnë atë epokë diktatoriale.”

Për të, fushata “rebele” që coi në lëvizjen popullore kundër zotit Morsi ishte thjesht një fasadë e interesave të ish presidentit egjiptian Hosni Mubarak.

Shteti i thellë – një koncept që i ka rrënjët në Perandorinë Osmane – i vë konservatorët përballë atyre që duan të sjellin ndryshim. Edhe ata që janë kundër qeverive të Mubarakut dhe të Morsit, shohin triumfin e një shteti të thellë. Por ashtu si publicisti Hisham Kassem, ata fajësojnë vetë zotin Morsi për këtë.

“Ai krijoi marrëdhënie jo të mira me drejtësinë, median, të huajt, forcat policore, ushtrinë, xhaminë Al Azhar dhe kishën, dhe që të gjithë rezistuan. Nuk mund t’i mposhtësh këto shtylla të shtetit.”

Vëllazëria Muslimane thotë se po përpiqet t’i jap fund dinamikës afatgjatë të Egjiptit që i vë islamikët kundër kundërshtarëve të shtetit të thellë. Por Soudan thotë se interesat e vjetra u përpoqën me të gjitha mundësitë për t’i kthyer egjiptianët e thjeshtë kundër tyre, me probleme që pothuajse u zhdukën kur doli në skenë shefi i Forcave të Armatosura, Abdel Fattah el-Sissi.

“Ata punuan së bashku për të rritur zemërimin e popullit me kriza të falsifikuara, si mungesa e energjisë, ujit, karburantit, dhe kjo shkaktoi acarimin e njerëzve. Duket si një shkop magjik në duart e Sissit që i zgjidhi të gjitha këto kriza.”

Por ankesa të tilla sjellin pak simpati për të tjerët që arguementojnë se një qeveri kompetente duhet të përballojë sfida të tilla. Për ta, koncepti i një shteti të thellë dhe institucioneve të mishëruara nuk janë medoemos negative.

“Në Katar, ministria e jashtme është si avioni i Sheik Hamadit. Kemi të bëjmë me një institucion me diplomatë me përvojë dhe me një trashëgimi.”

Ana negative ishte shtypja, dora e rëndë që revolucionarët e 2011-ës donin të largonin.
Vrasja e përkrahësve të zotit Morsi të shtunën në Kajro ishte një kujtesë e dhimbshme për shumë egjiptianë se aspektet e errëta të shtetit të thellë janë ende të fuqishme.
XS
SM
MD
LG