Lidhje

Egjipt, protestë kombëtare e Vëllazërisë Myslimane


Vëllazëria nuk ka pranuar të marrë pjesë në planet për një qeveri kalimtare, duke thënë se do të vazhdojë protestat deri në rikthimin e Morsit

Në Egjipt, Vëllazëria Muslimane po mban protesta në të gjithë vendin në mbështetje të Presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.

Një zëdhënës i Vëllazërisë, i tha Zërit të Amerikës se protestat janë një sfidë paqësore ndaj asaj që ky grup e konsideron si një grusht ushtarak shteti kundër udhëheqësit të parë të zgjedhur me votë të lirë në Egjipt.

Mbështetësit e ish presidentit të përmbysur Mohamed Morsi dolën në rrugë duke iu përgjigjur thirrjeve të Vëllazërisë Myslimane për protesta në të gjithë vendin kundër qeverisë së përkohshme të mbështetur nga ushtria.

Mijëra njerëz u mblodhën jashtë xhamisë Rabaah el-Adawiya në Kajro me thirrjet "tregoni të vërtetën". Ata kërkojnë kthimin e zotit Morsi në pushtet.

Vëllazëria Muslimane nuk ka pranuar të marrë pjesë në planet për një qeveri kalimtare, duke thënë se ajo do të vazhdojë të mbajë protesta deri në rivendosjen e zotit Morsi.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kajro, Sharon Behn thotë se në rrugë po dalin si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.

"Vëllazëria Muslimane ka deklaruar se do të zhvillojë protesta deri në rikthimin e Morsit. Ata thonë se demokracia në Egjipt është e kërcënuar. Kundërshtarët e Morsit thonë se rrëzimi javën e kaluar i presidentit nga ushtria shprehte vullnetin demokratik të popullit egjiptian. Tubimet masive në Kajro pasqyrojnë ndarjet e thella brenda shoqërisë egjiptiane dhe sfidave me të cilat përballet presidenti i përkohshëm Adly Mansour për bashkimin e vendit."

Që nga rrëzimi i zotit Morsi javën e kaluar, përleshjet vdekjeprurëse në mes të dy fraksioneve kërcënojnë ta zhysin Egjiptin në një krizë të thellë sektare.

Të hënën, mbi 50 islamistë humbën jetën nga përleshjet me forcat e sigurisë pranë një kompleksi të Kajros ku besohet se mbahet zoti Morsi.

Vëllazëria e ka përshkruar ngjarjen e së hënës si një masakër, duke thënë se ushtria hapi zjarr gjatë lutjeve të mëngjesit.Ushtria nga ana e saj ngul këmbë se ishin militantët ata që u përpoqën të sulmojnë ndërtesën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG