Lidhje

Egjipti përpiqet t'i rikthehet normalitetit


Presidenti i përkohshëm Adly Mansour
Presidenti i përkohshëm Adly Mansour

Prokurori i përgjithshëm i Egjiptit ka urdhëruar arrestimin e udhëheqësve të Vëllazërisë Myslimane

Egjipti po përpiqet të rivendosë normalitetin me një udhëheqës të ri të përkohshëm, një ditë pasi ushtria rrëzoi presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike. Kjo u bë shkak për festime nga mijëra protestues që ishin mbledhur në sheshin Tahrir të Kairos.

Luhet hymni kombëtar i Egjiptit dhe personalitete të ndryshme marrin pjesë në ceremoninë e betimit si president të kreut të Gjykatës Supreme, Adly Mansour.

Në deklaratën e tij të parë publike, zoti Mansour zotohet se do të mbajë lart vlerat e revolucionit.

''Zotohem se do të mbroj sistemin republikan dhe do të respektoj ligjin dhe kushtetutën, se do të kujdesem për interesat e popullit dhe do të ruaj pavarësinë e sigurinë e atdheut.''

Fjalët e tij priten mirë brenda sallës së Gjykatës Kushtetuese. Edhe jashtë sallës, njerëzit festojnë dhe brohorasin "Rroftë Egjipti".

''Ishte shumica e popullit egjiptian që e detyroi ushtrinë të na kthente të drejtën që ne i dhamë zotit Morsi. Ai nuk u soll si duhet prandaj ne i kërkuam të na kthente pushtetin për të zgjedhur dikë tjetër." thotë një demonstrues.

Megjithatë, policia dhe ushtria vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri, të vetëdijshëm se jo të gjithë egjiptianët janë të kënaqur. Aty pranë, janë mbledhur mbështetësit e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.

''Pavarësisht nga çdo gjë, ne e refuzojmë regjimin e ushtrisë. Ne do ta refuzojmë atë me lëvizje paqësore. Do të konfrontohemi me të, por jo me shishe me benzinë siç veprojnë ata. Ne nuk do të lejojmë që shteti të kthehet dhjetëra vjet prapa,'' thotë një mbështetës i presidentit të rrëzuar.

Por jeta për zotin Morsi dhe mbështetësit e tij të Vëllazërisë Myslimane mund të mos jetë dhe aq e lehtë tani e tutje. Sot, me t'u kthyer në punë, Prokurori i përgjithshëm i Egjiptit urdhëroi arrestimin e udhëheqësve të Vëllazërisë Myslimane.

Në një fjalim televiziv mbrëmë, shefi i ushtrisë Abdul Fatah al-Khalil Sisi tha se ushtria thjesht iu përgjigj thirrjes së popullit pasi zoti Morsi dështoi të bashkonte kombin.

Njoftimi u shoqërua me fishekzjarre në sheshin Tahrir të Kairos dhe në qytete të tjera. Këto sheshe tani janë boshatisur ndërkohë që Egjipti përpiqet për një fillim të ri.

Protestat e ditëve të fundit ishin kryesisht paqësore, por luftimet midis përkrahësve dhe kundërshtarëve të zotit Morsi kanë lënë afro 50 të vrarë.

Nga frika e një reagimi kundër amerikanëve, zyrtarët e SHBA kanë urdhëruar evakuimin e një pjese të personelit të ambasadës amerikane në Kajro.
XS
SM
MD
LG