Lidhje

Gjenden pjesë të avionit të zhdukur të Egyptair


Ushtria egjiptiane tha se ka gjetur pjesë të avionit të kompanisë EgyptAir rreth 300 kilometra larg Aleksandrisë, në Detin Mesdhe.

Zëdhënësi i ushtrisë Mohammed Samir, tha në një deklaratë të postuar në facebook të premten se "gjësende personale të udhëtarëve dhe pjesë të avionit janë gjetur derisa po pluskonin mbi ujë.

Ekipet e kërkimit po kërkojnë nëpër Mesdhe për pjesën kryesore të avionit të EgyptAir, që u rrëzua në det të enjten derisa po udhëtonte nga Parisi për në Kajro.

Të premten në mëngjes, tre hetues francez dhe një ekspert nga kompania Airbus arritën në Kajro për të ndihmuar procesin e hetimeve.

Egjipti dhe Greqia kanë angazhuar avionë dhe anije në kërkim të avionit të zhdukur, ndërsa ekipet nga Franca pritet t’u bashkohen kërkimeve. Shtetet e Bashkuara dërguan një avion vëzhgues për të ndihmuar kërkimet.

Kompania Egyptair tha se e kishte humbur kontaktin me avionin Airbus rreth orës 02:30 të mëngjesit të së enjtes, kur ai ishte në një lartësi prej rreth 11.300 metrash dhe vetëm 16 kilometra brenda hapësirës ajrore egjiptiane.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault, hodhi poshtë të premten komentet mbi mundësinë që avioni të jetë rrëzuar si pasojë e një vepre terroriste, duke thënë se “nuk ka asnjë shenjë se çfarë e ka rrëzuar avionin”.

Në Kajro, ministri egjiptian i aviacionit, Sherif Fathy, tha se Franca do të jetë përgjegjëse për cdo lëshim në sistemin e sigurisë, nëse del që shkak i rrëzimit është ndonjë veprim terrorist.

Ministri grek i mbrojtjes Panos Kamennos tha se avioni bëri kthesa të papritura dhe një rënie të shpejtë para zhdukjes nga radari.

Zhdukja e avionit ka ri ngritur shqetësimet pas shpërthimit të avionit rus të udhëtarëve më 31 tetor mbi gadishullin e Sinait, që la pas vetes 224 të vrarë. Moska tha se avioni u rrezua nga një mjet shpërthyes, ndërsa një degë e grupit ekstremist Shteti Islamik mori përgjegjësinë për vendosjen e tij.

Më 1999, një avioni i EgyptAir u rrëzua në Oqeanin Atlantik, afër ishullit Nantucket, pranë bregut të shtetit amerikan Massachusetts, me ç'rast humbën jetën 217 udhëtarë. Hetuesit amerikanë thanë në raportin përfundimtar se kopiloti fiku autopilotin dhe e rrëzoi avionin Boing 767. Por, zyrtarët egjiptian hodhën poshtë mundësinë e vetëvrasjes, duke ngulur këmbë se një shkak mekanik shkaktoi rrëzimin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG