Lidhje

Ekonomia evropiane gjatë 2013

  • Al Pessin

2013 ishte një vit më i mirë për ekonominë në Evropë, një raajon i rëndësishëm për eksportet nga mbarë bota. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin, kriza që ka mbërthyer kontinentin qysh nga viti 2008, nuk ka përfundur ende.
Sipas statistikave, kriza ekonomike në Evropë vazhdoi me kokëfortësi për të gjashtin vit. Por këtë nuk e ndjen në rrugën Oxford të Londrës, një javë përpara Krishlindjeve.
“Padyshim që këtë vit në krahasim me dy apo tre vite më parë, njerëzit ndjehen ndryshe dhe mund të shpenzojnë pak më shumë për vete dhe për familjet e tyre”, thotë ky banor.
“Mendoj se ky vit ka qënë i mirë. Mendoj gjithashtu se Londra është si jashtë realitetit. Gjërat janë shumë mirë në Londër, por kur shkon në qytete të tjera larg saj, në Evropë mund të mos jetë njësoj”, thotë kjo banore e Londrës.
Ajo ka të drejtë. Ekonomia e Britanisë është mes më të fuqishmeve në Evropë, dhe edhe këtu dyqanet filluan të ofrojnë ulje të çmimeve shumë kohë para Krishlindjeve. Në disa vende që përdorin Euron, rënia ekonomike është shumë më e ndjeshme, sipas analistit të firmës Capital Economics, Ben May.
“Borxhi është ende shumë i lartë, ashtu si papunësia. Ka nevojë për masa të mëtejshme shtrënguese në disa nga këto vende dhe ka një mosdashje në rritje mes popullatës për ta pranuar këtë.”
Kjo “mosdashje” është reflektuar në protesta si ato të Greqisë dhe në kutitë e zgjedhjeve, ku votuesit në disa vende zgjodhën qeveri që ishin kundër masave shtrënguese.
Masat shtrënguese janë të debatueshme edhe mes ekonomistëve për shkak se ato dëmtojnë rritjen ekonomike. Analisti Ben May thotë se rritja e Evropës do të vazhdojë të jetë e dobët në 2014-ën, gjatë asaj që ai e quan një mëkëmbje delikate.
“Situata është përmirësuar në eurozonë, por mendoj se ka ende mjaft problem dhe shumë hapësirë për të rënë përsëri në krizë.”
Megjithatë, edhe përtej ekonomive relativisht të fuqishme të Britanisë dhe Gjermanisë ka arsye për të patur shpresë. Profesor Iain Begg në universitetin “London School of Economics” thotë se një shënjë pozitive është se zërat për një falimentim të Euros janë shuar.
“Do të thosha se ishte një vit që udhëheqësit evropianë do ta mbajnë mend në mos me admirim, me një lloj kënaqësie pasi gjërat u përmirësuan. Kjo ende nuk ka hyrë në ndërgjegjen e njerëzve pasi të ardhurat kanë ngecur dhe papunësia është e lartë.”
Kjo duket qartë në rrugën Oxford ku shumë njerëz thonë se janë të shqetësuar për të ardhmen, ndërsa blejnë dhuratat për Krishlindje.
“Nuk do të shpenzoj si i marrë. Do të blej dhurata për fëmijët dhe gruan dhe për familjen time, nga një dhuratë të vogël për të thënë ‘Gëzuar Krishlindjet’ Por do të jem i matur”, thotë ky banor.
Kjo pasqyron mendimin e shumë evropianëve ndërsa kontinenti del nga kriza pesë vjeçare me premtimet për begati që shumë njerëz ende nuk po e shohin dhe nuk janë të bindur se do të vijë.
XS
SM
MD
LG