Lidhje

Ekonomia, varfëria dhe korrupsioni, problemet kryesore në Kosovë


Ekonomia, varfëria dhe korrupsioni, problemet kryesore në Kosovë
Ekonomia, varfëria dhe korrupsioni, problemet kryesore në Kosovë

Një hulumtim i opinionit i kryer nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara nxjerr në pah se 70 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të shqetësuar me gjendjen ekonomike të vendit. Në këtë kuadër, sipas hulumtimit papunësia dhe varfëria janë perceptuar si kërcënim kryesor për qëndrueshmërinë e vendit. Hulumtimi pasqyron mendimet e 1580 qytetarëve të të gjitha etnive.

Sipas, shefit të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Sanaka Samarasinha, hulumtimi tregon ndryshime të mëdha në perceptimet e qytetarëve të Kosovës. Ai thotë se çështja e deficitit buxhetor me të cilin përballet Kosova mund të ketë ndikuar në pakënaqësinë e qytetarëve me gjendjen aktuale në fushën e ekonomisë.

“Ndoshta diskutimet lidhur me deficitin buxhetor mund ta shpjegojnë këtë. Por, nëse kemi parasysh rritjen e nivelit në besimin ekonomik nga ai që ishte shumë i ulët në një që është mesatar, ai megjithatë mbetet mesatar. Andaj, ka ende shumë njerëz që besojnë se ekonomia duhet të trajtohet me një qëndrueshmëri më të lartë për të ardhmen”, zoti Samarasinha.

Në hulumtim, një nga problemet kryesore vazhdon të mbetet shkalla e lartë e korrupsionit me të cilën përballen qytetarët. Sipas, perceptimit të qytetarëve me shkallën më të lartë të korrupsionit prijnë Korporata Energjetike e Kosovës, Doganat dhe gjyqësori. Zoti Samarasinha, tha se ekziston një problem i perceptimit për korrupsionin.

“Ky mbetet një shqetësim i madh për shumicën e njerëzve në Kosovë. Ekzistojnë institucione të veçanta për të cilat ata janë më shumë të shqetësuar se sa të kënaqur. Me të vërtetë ekziston një problem i perceptuar për korrupsionin dhe ne do të bëjmë analizat tona për këtë në të ardhmen”, tha ai.

Hulumtimi nxjerr në pah se të anketuarit janë shprehur të kënaqur me proceset demokratike të vendit, që ka shënuar një rritje në krahasim me muajin nëntor të vitit të kaluar.

Hulumtimet e tilla të përmbledhura në Raportet e Paralajmërimit të Hershëm përgatiten çdo gjashtë muaj me mbështetjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar, por ato nuk përfshijnë rekomandime të organizatës që i kryen ato.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG