Lidhje

Ekonomia amerikane vendimtare për rizgjedhjen e Presidentit Obama


Ekonomia amerikane vendimtare për rizgjedhjen e Presidentit Obama
Ekonomia amerikane vendimtare për rizgjedhjen e Presidentit Obama

Duke i qëndruar besnik teknologjisë moderne të komunikimit politik, Presidenti Barak Obama e shpalli rikandidimin përmes postës elektronike dhe mesazheve në celular për miliona mbështetës të tij.

Gjithashtu u shpërnda edhe një video fushate me mbështetësit e presidentit Obama që nxit votuesit të përqëndrohen në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Ne nuk mund t’i lëmë zgjedhjet në dorë të rastësisë. Fakti që jam president nuk ka rëndësi. Këto janë zgjedhje që ne duhet t’i fitojmë”.

Pozita politike e presidenti Obama është përmirësuar që nga nëntori i kaluar, kur republikanët shënuan një fitore bindëse në zgjedhjet për në Kongres, duke rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe duke zvogëluar shumicën demokrate në Senat.

Sipas një pjese dërrmuese të sondazheve, presidenti gëzon miratimin e 50% të votuesve dhe shumë specialistë i japin zotit Obama një avantazh të lehtë në garën e 2012, përballë kandidatit të ardhshëm republikan.

Por anketuesi i Universitetit të Quinnipaic, Peter Brown ka vërejtur ulje në përqindjen e miratimit të politikave të presidentit dhe thotë se votuesit do të nisin t’i kushtojnë më shumë vëmendje fushatës në muajt në vazhdim.

“Është një pikë kritike. Nëse ai vazhdon të ketë ulje, p.sh, nëse niveli i miratimit të politikave të tij shkon në 30%, kjo do të ishte shumë domethënëse dhe do të krijonte dukshëm një problem në rritje për të, gjatë fushatës elektorale”.

Shifrat e anketave shpesh shkojnë pasqyrojnë mënyrën se si votuesit ndjehen për situatën ekonomike në vend. Shtëpia e Bardhë pati lajme të mira javën e kaluar, teksa përqindja e papunësisë vazhdon të ketë ulje të ngadalta, duke zbritur në 8.8%, niveli më i ulët në dy vjet.

Stephan Hess është studiues në institutin Brookings në Washington.

Hess act

“Zgjedhjet e ardhshme, do të varen më shumë se nga çdo faktor tjetër, nga niveli i papunësisë në Shtetet e Bashkuara”.

Profesori i Universitetit të Virginias, Larry Sabato thotë se çështja e vetme më e rëndësishme në zgjedhjet e vitit të ardhshëm , do të jetë se si votuesit do të vlerësojnë zotin Obama për çështjete ekonomike.

“Në fund, votuesit nuk argumentojnë përse ekonomia është mirë ose keq. Ata thjesht vlerësojnë ose fajësojnë presidentin në detyrë”.

Edhe politika e jashtme mund të luajë një rol të madh, me zhvillimet e fundit në Libi, trazirat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe tërheqjet e pritshme të disa prej trupave amarikane nga Afganistani gjatë këtij viti.

Analisti politik Charlie Chook thotë se zoti Obama dëshiron t’i modelojë përpjekjet e tij për t’u rizgjedhur, sipas shembullit të fushatës së ish presidentit Ronald Reagan i cili u rizgjodh në vitin 1984 dhe po përpiqet të shmangë fatin e ish presidenit Jimmy Carter , i cili humbi garën për t’u rizgjedhur në vitin 1980.

“Ajo që presidenti Obama duhet të ketë kujdes është të mos ketë fatin e presidentit Carter, kur ngjarjet botërore thjesht dolën nga kontrolli dhe ai u duk i pashpresë. Ai duhet të udhëhiqet nga modeli i presidentit Regan, i cili kishte disa pengesa rrugës, por gëzonte një ekonomi të fortë gjatë qeverisjes së tij dhe arriti të rivendoste krenarinë amerikane”.

Më shumë se dhjetra republikanë po shqyrtojnë mundësinë e marrjes pjesë në garën presidenciale por deri tani askush nuk ka shpallur kandidaturën e tij zyrtarisht. Eksperti Larry Sabato thotë se kjo i jep presidentit një përparësi fillestare, përsa i përket mbulimit nga shtypi dhe mbledhjes së fondeve.

“Ish guvernatori i Masaçusetsit Mit Romney, ish guvernatori i Minesotës Tim Pawlenty, madje dhe kandidatë me peshë më të vogël politike, si ish senatori Rick Santorum apo anëtarja e kongresit Michele Bachman, duken se do të kandidojnë. Por në se Partia Republikane do të dalë me një kandidaturë e cila mund të fitojë, kjo mbetet për t’u parë. Do të jetë ekonomia ajo që do të jetë përcaktuese dhe jo elektorati republikan”.

Nëse do t’i referoheshim historisë së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, presidenti Obama është një kandidat i parapëlqyer për t’u rizgjedhur, por kjo nuk do të thotë se ky është një parashikim i sigurt. Që nga Lufta e Dytë Botërore, vetëm dy presidentë të Shteteve të Bashkuara, kanë humbur rizgjedhjen e tyre për një mandat të dytë – Jimmy Carter në vitin 1980 dhe George H. W. Bush në vitin 1992.

XS
SM
MD
LG