Lidhje

Debate ekonomike në prag të ndërrimit të qeverive


Parlamenti i ri mblidhet pas dy javësh ndërsa shumica e re i ka gati një numër votash për të miratuar lëvizje të guximshme në fushën e ekonomisë.

Socialistët, demokratët dhe Banka Qendrore po japin këto ditë pasqyra kontradiktore mbi gjendjen e ekonomisë shqiptare gjatë viti zgjedhor, kur edhe palët do të këmbejnë vendet në pushtet. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi së fundi se inflacioni është në minimum, por rritja ekonomike mbetet e dobët, dhe kjo nuk mundet të shtojë vendet e punës. Konsumi i mallrave nga qytetarët mbetet i ulët, por parashikohet një rritje e cmimeve të tyre në periudhë afatmesme. Kjo gjendje me konsum të ulët dhe rritje të ulët ekonomike parashikohet nga banka të mbetet e njëjtë edhe për një periudhë afatmesme, ndërkohë që investimet private mbeten të dobëta. Po ashtu bankat kanë sasi të konsiderueshme parash, por kreditimi mbetet i ulët, dhe ndërkohë ka rënë edhe kërkesa e qeverisë për investime publike. Banka e Shqipërisë deklaroi se burimet e rritjes ekonomike janë të dobëta e të pasigurta edhe në të ardhmen, se konsumi dhe investimet private vuajnë nga pasiguria, ndërsa familjet dhe bizneset hezitojnë të ndërmarrin projekte investimesh afatgjata.

Partia Socialiste zhvilloi për ekonominë një konferencë dyditore mbi vështirësitë e ekonomisë dhe rregullimit të territorit. Partia më e madhe e koalicionit të ri qeverisës po shfaq njëra pas tjetrës idetë e saj se si të dalë nga kriza, që sipas saj, ka mbërthyer ekonominë. Përfaqësues të saj pohuan se qeveria e djathtë e ka zhytur vendin në borxhe dhe se modelet e qeverisjes së saj kanë shtetuar, duke lënë pas plagë të rënda mbi ekonominë, territorin dhe shoqërinë shqiptare. Sipas socialistëve ka ardhur koha për një model të ri qeverisje, në qendër të të cilit do të vihet mirëqenia ekonomike e qytetarit dhe gjithçka do të vihet në shërbim të këtij objektivi. Punësimi më i madh dhe një optimizëm më i gjerë i shoqërisë në përballimin e krizës ekonomike do të sjellë një zhvillim të qëndrueshëm për individin dhe shoqërinë.

Ndërsa Partia Demokratike tashmë në opozitë e përshkruan gjendjen ekonomike me tone më entuziaste, dhe kritikon socialistët për nihilizëm dhe mohim të arritjeve të deritanishme. Sipas përfaqësuesve të saj, Shqipëria përballoi me sukses disa dallgë të krizës ekonomike botërore duke bërë investime të rëndësishme publike dhe private, se borxhet janë marrë vetëm për investime të ndjeshme në infrastrukturë, vlera e të cilave do të shfaqet më vonë me lehtësimin e transporteve dhe me zhvillimin e zonave nga kalojnë rrugët e reja.

Ekspertë të pavarur dhe studiues të ekonomisë shqiptare janë edhe ata të dyzuar në vlerësimet mbi gjendjen. Disa shprehen skeptikë se Shqipëria mund të përballet shpejt me një krizë borxhesh dhe se nuk mund të dalë nga udhëkryqi i vështirë pa marrë borxhe të reja. Ata vlerësojnë se rishikimi i taksave është i vështirë në një vend ku mendohet se arka është drejt boshatisjes, dhe ku pritshmëria ndaj qeverisë së re është shumë e lartë, kur të gjithë shpresojnë për ndryshim të shpejtë të gjendjes. Ekspertë të tjerë mezi po presin rikthimin e FMN me projektet e veta të këshillimit dhe mendojnë se situatat e vështira Shqipëria mund t'i tejkalojë vetëm duke bashkëpunuar ngushtë me Fondin dhe Bankën Botërore.

Parlamenti i ri mblidhet pas dy javësh ndërsa shumica e re parlamentare i ka gati planet dhe njerëzit që do të drejtojnë ministritë, së bashku me një numër votash të deputetëve për të miratuar lëvizje të guximshme në fushën e ekonomisë. Megjithatë nuk janë të pakët edhe ata ekspertë që mendojnë se rruga më e mirë do të ishte bashkëpunimi edhe me opozitën për t'i bërë me mirëkuptim disa reforma strukturore, që do të shmangin lëkundjet dhe mëdyshjet, dhe që pritet të sjellin kthesën në grafikun e rritjes ekonomike të vendit, i cili deri tani, nga vlerësimet e Bankës Botërore, del se është fare afër zeros.

XS
SM
MD
LG