Lidhje

Ekonomia e Greqisë dhe e ardhmja e eurozonës


Ekonomia e Greqisë dhe e ardhmja e eurozonës
Ekonomia e Greqisë dhe e ardhmja e eurozonës

Që nga gadishulli Skandinav e deri në brigjet e Mesdheut, është përhapur shqetësimi për të ardhmen e monedhës euro dhe të vetë Bashkimit Evropian. BE-ja është tronditur nga kriza greke, por udhëheqësit e saj këmbëngulin se Bashkimi dhe monedha e tij do të mbijetojnë. Por, rreziku më i madh për Evropën duket se është jashtë kufijve të Greqisë:

Në sheshin qendror të Athinës, ka ende disa qindra protestues të revoltuar. Pavarësisht nga protestat, parlamenti miratoi shkurtime në shpenzime në masën 40 miliardë dollarë, siç kërkonte plani i ndihmave nga BE dhe FMN.

Por grekët vazhdojnë kundërshtimet e tyre. Janis Anagnostaras, me profesion mësues, është ndër protestuesit:

“Njerëzit, punëtorët do të luftojnë në rrugë dhe do t’i anulojnë këto masa. Këto masa shkatërrojnë të drejtat e punëtorëve, na shkatërrojnë jetën dhe thjesht përmbushin kërkesën e Bashkimit Evropian dhe FMN-së”.

Në Athinë dhe në të gjithë Evropën ka spekulime se Evropa do të ecte më mirë nëse Greqia do të shkëputej nga zona e euros dhe nga vetë Bashkimi Evropian. Nuk është e vërtetë –

“Greqia nuk mund të shkëputet nga eurozona pa shkaktuar më parë një tërheqje masive të kapitalit të rrjedhshëm nga bankat. Gjithashtu, një hap i tillë nuk do ta ndihmonte Greqinë në përpjekjet për të përballuar borxhin, por mund t’i heqë këtij vendi linja jetike për mbështetje”.

Politikanët që e kundështuan planin për ndihmë ndaj Greqisë, dhe që kanë qenë përgjithësisht kundër integrimit evropian, kanë ngritur zërin kohët e fundit. Ata zhvilluan një ceremoni funebre simbolike për euron, para Këshillit Evropian në Bruksel. Nigel Farage, anëtar i Parlamentit Evropian nga Britania kryesonte kortezhin:

“Euroja nuk do t’i mbijetojë këtë konfigurimi. Do të shohim tërheqjen e vendeve të ndryshme nga eurozona”.

Presidenti i Këshillit Evropian Herman van Rompuy thotë se ata që u bien kambanave të alarmit e kanë gabim:

“Sipas mendimit tim, gjendja e Bashkimit nuk është aq e keqe, megjithëse ekziston një atmosferë negative. Por ka një frymë shumë më pozitive pas votës në Parlamentin grek”.

Por rreziku do të jetë i madh nëse kriza e borxhit shtrihet përtej Greqisë. Spanja është ekonomia numër katër në euro-zonë, por tani vuan nën peshën e papunësisë në masën 20 për qind, dhe të borxheve masive.

Megjithëse diskutohet mundësia që disa vende ekzistuese të shkëputen nga organizata, Bashkimi mirëpriti ditët e fundit Kroacinë si anëtaren e tij të ardhshme.

Analistët thonë se megjithë krizën e euros, mundësitë që hap antarësimi në Bashkimin Evropian janë shumë më të mëdha se rreziqet që ndeshin shumë vende jashtë kufijve të tij.

XS
SM
MD
LG