Lidhje

Zbulohen 2100 biznese informale dhe 3450 punëtorë në të zezë


Punësimi në të zezë dhe bizneset informale po zbulohen në një tjetër pamje tani që Inspektoriati i Shtetëror i Punës po kryen një mori kontrollesh në firma të ndryshme prodhimi dhe shërbimi. Sipas të dhënave të fundit, Inspektoriati ka zbuluar gjatë kontrolleve të kryera gjatë janarit 2 mijë e 100 subjekte private tërësisht informale me rreth 3 mijë e 450 punëtorë pa sigurime shoqërore. Të gjithë subjektet e gjetura me shkelje u janë dërguar drejtorive rajonale të taksave për t'u vendosur në ligjshmërinë e duhur.

Bashkë me kontrollet e shumta Inspektoriati po ndërton edhe një hartë digjitale për të parë se cilat janë zonat me informalitetin më të lartë për nga gjeografia dhe lloji i bizneseve, në mënyrë që të përgatitë më mirë kontrollet e ardhshme. Prej 4 muajsh, ankesat dhe kontrollet janë pesëfishuar ndaj bizneseve, që fshehin punëtorët, dhe u shkelin të drejtat e tyre minimale. Inspektoriati i Punës po zbulon muajt e fundit një numër të konsiderueshëm punëtorësh, që firmat nuk u paguajnë sigurimet shoqërore dhe i punësojnë në të zezë.

Lufta kundër informalitetit dhe punës ilegale është një nga sfidat kryesore të qeverisë, bashkë me plotësimin e standarteve në kushtet e sigurisë për punëtorët dhe për shëndetin e tyre në punë. Kontrollet më të shumta janë drejtuar në zonat dhe sektorët me risk më të lartë për jetën e punëtorëve dhe për punën informale. Në qendër të kontrolleve janë industritë, ku janë shënuar edhe më shumë aksidente në punë dhe sëmundje profesionale, si ndërtimi, minierat, prodhimi i këpucëve etj.

Sindikata dhe individë kanë paraqitur një numër të madh ankesash për punësim informal në biznese nga më të ndryshmet, ku jashtë ligjshmërisë janë edhe punëdhënësit edhe punëmarrësit. Institucionet kanë theksuar se gjobat dhe ndëshkime të tjera nuk janë qëllim kryesor, por kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha palëve për të ndriçuar tregun e punës në Shqipëri, dhe që punëtorët të trajtohen me dinjitet sipas ligjeve dhe të drejtave të tyre.

Sipas të dhënave të Instatit, papunësia në Shqipëri është 13% por, organizata joqeveritare që studiojnë ekonominë e vendit thonë se papunësia reale është 3 herë më e lartë se shifrat zyrtare. Ekspertët pohojnë se vështirësia më e madhe në analizat mbi papunësinë është punësimi në të zezë. Një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve nuk paguajnë sigurimet shoqërore dhe gjejnë punë disajavore, që janë të vështira për t’u dokumentuar.

XS
SM
MD
LG