Lidhje

Normat e interesit dhe tregjet e aksioneve

  • Jim Randle

Banka Qendrore Amerikane i dha votëbesimin e saj ekonomisë amerikane, pas përmirësimeve të fundit, duke thënë se nuk ka më nevojë për stimulimet qeveritare për të mbështetur rritjen e saj. Si rezultat, normat e interesit pritet të rriten dhe shqetësimet nga ky skenar rezultuan në rënien e bursës dhe të monedhave të vendeve në zhvillim.

Banka Qendrore ka reduktuar paketën stimuluese, gjë që do të rrisë normën e interesit.

Këto ndryshime bënë që investitorët të tërheqin fonde nga vendet në zhvillim me synimin për t’i përdorur në Shtetet e Bashkuara me shpresën për fitime më të mëdha nga interesi. Si rezultat pati tronditje në tregjet e aksioneve dhe valutës.

William Cline, studiues në Institutin Peterson për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se mendohet që periudha më e rëndë është kapërcyer:

"Tregjet kanë tendencën të bëjnë axhustime të shpejta, duke parashikuar si do të zhvillohet situata. Mendoj që tashmë e kemi ndjerë një pjesë të mirë të ndikimit nga ndryshimi në normat e interesit”.

Politikat disa vjeçare amerikane të normave të ulëta të interesit kanë pompuar fonde në tregjet në zhvillim, ku përfitimet nga normat e interesit kanë qenë më favorizuese.

Kërkesa nga blerës të huaj solli rritje të çmimit të aksioneve dhe të vlerës së valutës në këto vende.

Profesori i Universitetit Adelphi dhe investitor me përvojë në Wall Street, Michael Driscoll, thotë se rritja e normave të interesit në Shtetet e Bashkuara e ndryshon këtë situatë.

"Nëse fillojnë të rriten normat e interesit në Shtetet e Bashkuara, disa nga likuiditetet dhe kapitali do të kthehet në Shtetet e Bashkuara për të përfituar nga këto fitime më të mëdha dhe do të largohet nga tregje botërore”.

Profesori i Universitetit Boston dhe ish zyrtar i Bankës Qendrore Amerikane Cornelius Hurley thotë se vendet në zhvillim po marrin masa për t’u ofruar investitorëve fitime më të mëdha me shpresën për të penguar largimin e kapitalit.

"Vendet e grupit BRIC ku përfshihen Brazili, Rusia, India dhe Kina po mendojnë të rrisin normat e interesit për të mbrojtur valutat e tyre. Kjo do të ngadalësonte aktivitetin ekonomik në këto vende”.

Rritja e normave të interesit tërheq investiture, por gjithashtu mund të ulë ritmet ekonomike pasi rritet kostoja e huamarrjes, duke e bërë të vështirë për disa konsumatorë të blejnë shtëpi, ose për kompanitë që duan të zgjerojnë aktivitetin.
XS
SM
MD
LG