Lidhje

Ekonomia ruse nën barrën e sanksioneve


Një valë e re sanksionesh perëndimore po godet ashpër ekonominë e Rusisë. Kompanitë shtetërore të energjisë po ndjejnë rënie të fitimeve dhe monedha kombëtare ruse ra më tej këtë javë pasi SHBA dhe BE njoftuan sanksione të reja në ndëshkim të qëndrimit agresiv të Rusisë në Ukrainën lindore. Por, siç njofton korrespondenti Mil Arcega, sanksionet mund t’i kushtojnë edhe kompanive evropiane dhe amerikane.

Aksionet ruse po bien, po ashtu edhe rubla e cila ra në nivelin më të ulët që nga viti 1998. Ndërkohë që disa shqetësohen se monedha e dobët vendase mund të rrisë çmimet, të tjerë thonë se konsumatorët nuk do ta ndiejnë ende efektin pasi blejnë pak produkte importi.

Maria Lipman është analiste politike në Qendrën Carnegie të Moskës.

“Ndikohen kompanitë shtetërore, bankat, dhe në nivel më të ulët një numër individësh, përgjithësisht qytetarë të thjeshtë.”

Banka qendrore e Rusisë thotë se po përgatitet të veprojë shpejt nëse rritet inflacioni. Por, ekspertët parashikojnë se hemorragjia ekonomike do të vazhdojë. Kompanitë shtetërore të energjisë do të goditen më shumë. Ndër to është Gazprom që ka njoftuar 41% rënie të fitimeve. Analisti i energjisë Alexei Kokin fajëson vendimin e Rusisë për të mos i shitur më gaz natyror Ukrainës.

“Humbja e tregut ukrainas nuk është diçka e vogël. Është burim pasigurie dhe ndoshta do krijojë probleme të pariparueshme për Gazprom-in.”

Rënia e çmimeve të naftës e ka dobësuar rublën më tej. Maria Lipman thotë se kjo është shqetësuese për kompanitë perëndimore që zhvillojnë aktivitet në Rusi.

“Kompanitë më të mëdha botërore si Exxon ose BP janë të pakënaqura me sanksionet e mëtejshme që dëmtojnë përfshirjen e tyre në biznesin fitimprurës të naftës ruse.”

Krahas goditjes së kompanive kryesore dhe individëve rusë me lidhje të ngushta me qeverinë ruse, sanksionet e reja përfshijnë edhe eksportet ruse, si dhe ndalojnë të gjithë tregtinë e armëve ndërmjet Rusisë dhe Evropës. Edhe nëse Perëndimi do të vendoste të anullojë disa nga sanksionet, Marshall Gittler i kompanisë Global FX Strategy po i paralajmëron investitorët të qëndrojnë larg.

“Baza ekonomike për rublën do të jetë sidoqoftë negative. E vetmja e panjohur do të jetë ritmi i rënies. Nëse stabilizohet Ukraina, rubla do të bjerë më ngadalë. Nëse situata në Ukrainë nxehet sërish, atëherë do të ndodhë kolaps.”

Pavarësisht dëmit për ekonominë ruse, mbetet e lartë mbështetja publike për udhëheqësin rus Vladimir Putin, i cili nuk pritet të sprapset për shkak të sanksioneve të reja. Edhe nëse Rusia kundërpërgjigjet duke bllokuar eksportet energjetike drejt Evropës ose duke ndaluar linjat ajrore perëndimore që fluturojnë mbi Rusi, rezultati përfundimtar do të jetë i njëjtë, për ekonominë ruse dhe atë botërore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG