Lidhje

Ekonomia shqiptare: studiuesit komentojnë


Studiuesit e ekonomisë shqiptare theksojnë me shqetësim faktin që rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë akoma më poshtë se parashikimet dhe rishikimi i buxhetit do të bazohet tek realiteti dhe jo tek shpresat apo euforitë e një viti më parë.

Ekonomia është pothuaj në stanjacion, të ardhurat kanë rënë, po ashtu ranë investimet vendase e të huaja, ndërsa borxhi dhe deficiti u thelluan.

Profesor Arben Malaj i Universitetit të Tiranës thotë që ritmet e ulta të rritjes ekonomike do të zgjatin kohën për të ulur borxhin, masat do të jenë më të rrepta dhe pasojat sociale do të shtohen.

Studiuesit thonë se ekonomia po funksionon nën kapacitetet e saj të vërteta edhe për shkak të korrupsionit të përhapur në administratën shtetërore të gjithë niveleve, në sistemin gjyqësor dhe në fushën e pronave dhe respektimit të tyre.

​Nga ana tjetër, drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se ekonomia shqiptare është thuajse në të njëjtin prag stanjacioni si 2-3 vjet më parë dhe masat e qeverisë së re nuk dhanë rezultatet e premtuara.

Studiuesit besojnë se politikat fiskale kanë krijuar probleme të reja dhe nuk kanë zgjidhur problemet e vjetra. Ata pohojnë se rritja ekonomike mund të vijë vetëm nga përmirësimi i vërtetë i klimës së biznesit.

Zoti Malaj thotë se qeveria duhet të përmbushë detyrimet e marrëveshjes me FMN për të rritur besueshmërinë e Shqipërisë në tregjet e huaja dhe për të treguar se vend po punon vërtet për të kapërcyer krizën ekonomike.

Të dhënat e fundit tregojnë se kanë rënë të ardhurat, konsumi, prodhimi vendas dhe investimet.

Sipas ekspertëve, bankat pohojnë se me shtimin e masave të sigurisë për të lëshuar kredi, ka rënë edhe agresiviteti i kompanive për të marrë kredi dhe për të shtuar prodhimin.

Zoti Preçi thotë që krahas politikave ekonomike për të përmirësuar klimën e biznesit, duhen përmirësuar edhe politikat fiskale, sepse taksat dhe detyrimet po bien kryesisht mbi shtresat e mesme dhe të varfëra, ndërsa grupet e pasanikëve janë të mbipërfaqësuar në parlament, janë aty në konflikt interesi dhe nuk mund të bëjnë ligje kundër vetes dhe bizneseve të tyre monopole dhe oligopole.

Analistët pohojnë se përshkallëzimi që u bë në taksën mbi punën, dhe rritja e taksës mbi fitimin dhe kapitalin, rëndoi statusin ekonomik e social të punëtorëve dhe nuk përmirësoi klimën e besimit të investitorëve vendas e të huaj për të rritur teknologjinë dhe vende të reja pune.

Sipas tyre, rishikimi me ulje i të gjithë treguesve kryesorë është shenjë se reformat nuk kanë funksionuar, se ligjet nuk janë zbatuar dhe se administrata duhet të shtojë përpjekjet në gjysmën e dytë të vitit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG