Lidhje

Ekonomia shqiptare përballë krizës greke e europiane


Studiuesit e ekonomisë ballkanike mendojnë se kriza greke dhe ajo europiane do të lenë gjurmë në ekonomitë e vendeve më të vogla. Ekspertët shqiptarë thonë se kriza po sjell pasoja të drejtpërdrejta në ekonominë shqiptare, në forma të ndryshme, shpesh të padukshme. Të ardhurat nga emigrantët janë ulur bashkë me blerjet e banesave, dhe uljen e konsumit. Ndikimi i krizës greke në Shqipëri u shqyrtua sot në një konferencë ndërkombëtare.

Studiuesit e ekonomisë besojnë se kriza ekonomike greke dhe ajo europiane ka sjellë pasoja të ndjeshme edhe në ekonominë shqiptare, ndonëse disa nga këto gjurmë nuk janë të dukshme në statistika. Ekspertët shqiptarë pohuan sot në një konferencë se kriza greke dhe ajo europiane po lë pasoja të ndjeshme sidomos këtë vit mbi ekonominë shqiptare.

Deputeti dhe studiuesi Selami Xhepa, thotë se konsumi ka rënë dhe ky vit do të jetë i vështirë. Sipas tij, ka rënie në fondet në cash ose remitancat e emigrantëve, të cilat shkojnë kryesisht në ndërtim, shërbime, turizëm. Sipas tij, një pjesë e tregut të punës në Greqi është i paligjshëm, kjo shpjegon se pse paratë e emigrantëve shqiptarë nuk figurojnë në statistika.

Ndërsa deputeti dhe deputeti Arben Malaj thotë se rënia e rritjes ekonomike nga 6 në 3 për qind është një rënie 2-3 herë. Sipas tij, ka rënie të eksporteve dhe importeve pra edhe kërkesa për konsum, ku në shkëmbimet tregtare Italia dhe Greqia zënë vendin kryesor. Zoti Malaj tha se duhet bashkëpunim dhe kompromis, ndërsa Shqipëria duhet të lëvizë vetë për ta përballuar krizën dhe të mos presë fonde dhe gjithçka nga Europa e Bashkuar për të mbuluar difektet e veta.

Drejtuesi i Institutit Agenda, Gjergj Filipi, thotë se Shqipëria është në krizë, edhe pse shifrat e saj formalisht nuk janë nën zero, si recesion. “Rritja ekonomike 1 për qind është shumë pranë zeros, -tha ai - dhe megjithë gabimet në matje, është e lehtë të biesh nën zero”.

Ndërkaq deputeti Fatos Beja thotë se shqiptarët presin që Greqia ta kapërcejë sa më shpejt krizën dhe t’i kthehet rritjes ekonomike të dëshiruar. “Shqiptarët i ndjekin me frikë zhvillimet në Greqi, - tha ai - sepse janë qindra mijëra emigrantë shqiptarë atje dhe po aq familje të tyre që jetojnë në Shqipëri me fitimet e tyre. Po ashtu shumë shqiptarë punojë në në Shqipëri në firma greke”.

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare organizoi në Tiranë me kolegët e vet gjermanë dhe grekë një konferenë shkencore mbi ndikimin rajonal të krizës ekonomike europiane. Ekspertët grekë dhe gjermanë analizuan historinë e kësaj krize, me shpresën se vendet e europës juglindore do të nxjerrin mësime nga gabimet greke në ekonomi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG