Lidhje

Spanjë: Ekonomia dhe gjendja financiare


Kostoja e huamarrjes afat shkurtër të Spanjës ra sot, ndërsa investitorët besojnë se Banka Qendrore Evropiane do të ndërhyjë në tregjet e bonove të thesarit, por mungesa e hollësive rreth kohës dhe mënyrave të zbatimit të kësaj ndërhyrjeje bëri që interesat që do të paguajë qeveria spanjolle për bonot që shet të jenë ende të larta.

Ministria spanjolle e Thesarit shiti sot bono me vlerë prej 4.5 miliardë eurosh, me maturim 12 dhe 18 mujor, më shumë se sa ç’kishte parashikuar. Interesi për bonot me maturim një vjeçar ra në 3.070 për qind krahasuar me 3.918 për qind në muajin korrik.

"Unë nuk shikoj vetëm përfitimin nga borxhi i shitur, i cili, për mendimin tim është më mirë se sa gjatë muajve të mëparshëm dhe tregon se presioni mbi borxhin gjatë muajit gusht ka rënë vazhdimisht, por tregon gjithashtu se Departamenti i Thesarit ka marrë masat e duhura dhe ka arritur të shesë pak më shumë se sa parashikimi, i cili ishte në shumën 3.5 dhe 4.5 miliardë euro, por në fund të fundit shiti pak më shumë se 4.5 miliardë euro, gjë që parashikon një imazh të mirë në botë", thotë analisti i firmës XTB Brokers, Daniel Alvarez.

Ministria e Financave nuk do të shesë bono më afat gjatë para 6 shtatorit, ditën kur Banka Qëndrore Evropiane pritet të japë hollësi rreth planeve të saj për zgjidhjen e krizës së borxheve të eurozonës dhe kur kancelarja gjermane, Angela Merkel të shkojë në Madrid për bisedime me kryeministrin Mariano Rajoy.
Kostoja e borxhit të Spanjës vazhdon të jetë tepër e lartë sepse investitorët nuk e kanë të qartë nëse Madridi do të ketë nevojë për të kërkuar një paketë të plotë ndihmash. Një gjë e tillë do të shtonte presionin mbi fondet ekzistuese të Bashkimit Evropian dhe do të transferonte shumicën e presionit të tregut tek ekonomia më e madhe, ajo italiane.

Në fillim të muajit, kryeministri Rajoy la të hapur mundësinë për të kërkuar ndihma, por theksoi se ai kishte nevojë të mësonte së pari kushtet si dhe më shumë hollësi rreth planeve të Bankës Qendrore Evropiane për të ndihmuar në uljen e kostos së borxhit për ekonomitë e vendeve të Evropës jugore.

Ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës përjetoi muajin e kaluar rritje rekord të kostos së financiamit për shkak të shqetësimeve se mund të duhen vite që të rimëkëmbet nga rënia e madhe e tregut të shtëpive në vitin 2008 dhe se është tepër e dobët që të përballojë borxhet masive publike dhe private.
Spanja ka kërkuar tashmë një paketë ndihmash prej deri në 100 miliardë euro për të ndihmuar bankat, që nuk janë në gjendje të marrin veten si pasojë e huave problematike, nga sektori i ndërtimit dhe nga kërkesa e konsumatorëve, e dëmtuar nga papunësia e lartë rekord prej gati 25 për qind.



XS
SM
MD
LG