Lidhje

Një ekonomist optimist për ekonominë në SHBA


Tregjet financiare u luhatën këtë javë ndërsa u shtuan shqetësimet për një paketë të mundshme shpëtimi për Spanjën, dobësinë e tregjeve në zhvillim dhe frikën për një krizë fiskale në Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht nga parashikimet negative në rritje, një ekonomist në New York thotë se Shtetet e Bashkuara mund të jenë një nga pikat pozitive.

Kostot gjithnjë e më të larta të huamarrjes në Spanjë dhe Itali dhe mundësia që qeveria greke nuk do të jetë në gjendje të paguajë borxhet e saj, e kanë thelluar krizën në Evropë.
Ekomomistët thonë se rreziku për paketa edhe më masive shpëtimi kërcënojnë të ardhmen e Eurozonës, duke e fashitur besimin e konsumatorëve dhe duke pakësuar rrjedhën e kapitalit në tregjet në zhvillim nga Kina në Indi.
Për këtë arsye, parashikimet afatshkurtra për rritje globale kanë vuajtur pasojat, thotë makroekonomisti Srinivas Thiruvadanthai.

“Ka sfida të mëdha dhe edhe nëse ekonomia globale shmang recesionin këtë vit, mendoj se është shumë e vështirë që të shmanget një tjetër në dy-tre vitet e ardhshme”.

Spanja u bë zyrtarisht vendi i 12 evropian që bie përsëri në recesion, ndërsa Britania thotë se është në tremujorin e tretë të tkurrjes ekonomike. Dy tremujorë tkurrje është përcaktimi zyrtar i recesionit.
Disa druhen se mund t’i ketë ardhur radha ekonomisë më të madhe e Evropës, Gjermanisë.
Si bllok, Evropa përfaqëson partneren më të madhë tregëtare të Shteteve të Bashkuara. Thiruvadanthai thotë se çdo tronditje atje, do të ndjehet në gjithë Atlantikun.

“Nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin një rritje të ndjeshme, mund të thoshim se nuk varemi shumë tek tregëtia, kështuqë nuk ka shumë rëndësi. Por nuk është ashtu. Rritja jonë është e dobët. Kështuqë edhe një luhatje e moderuar do të krijonte probleme për ne”.

Megjithëse shifrat e qeverisë që do të bëhen publike të premten, pritet të tregojnë se ekonomia amerikane pati një rritje pothuajse të pandjeshme në tremujorin e dytë, Thiruvadanthai, parashikon një rritje të fuqishme.

“Procesi që po kalojnë Shtetet e Bashkuara, një depresion i përmbajtur, është korrektiv, rimëkëmbës. Është një proces balancimi buxhetesh, përqindjesh të borxheve, aseteve për të rregulluar nivelet mbi të cilat ngre themelet për një zhvillim afatgjatë”.

Por jo të gjithë janë optimistë. Disa ekonomistë këmbëngulin se një recesion i plotë i ekonomisë më të madhe të botës është një mundësi reale, veçanërisht nëse politikanët amerikanë nuk arrijnë një marrëveshje për shkurtimin e defiçitit dhe për skadimin e shkurtimit të taksave në fund të vitit.
XS
SM
MD
LG