Lidhje

Ekonomitë evropiane përballë sfidave të vështira


Ekonomitë evropiane përballë sfidave të vështira
Ekonomitë evropiane përballë sfidave të vështira

Greqia ka një kryeministër të ri dhe Italia pritet të bëjë shumë shpejt të njëjtën gjë, ndërkohë që udhëheqësit evropianë po përpiqen të ringjallin besimin e tregjeve financiare dhe të pengojnë rëndimin e krizës ekonomike në rajon.

Greqia zgjodhi ekonomistin Lukas Papadhimas për të kryesuar qeverinë e saj të përkohshme. Qëllimi është miratimi i kushteve të vështira të paketës evropiane të shpëtimit financiar.

Kryeministri italian Silvio Berluskoni, pozita e të cilit është vështirësuar, pritet t’i hapë rrugën një qeverie të përkohshme, që gjithashtu mund të drejtohet nga një ekonomist.

Këto masa synojnë të rikthejnë besimin tek dy ekonomitë dhe tek udhëheqja e tyre, si dhe të stabilizojnë tregjet financiare, me shpresën se do të shmangen pasojat e rënda për të cilat është folur aq shumë në media këto ditë.

Por ekonomisti Ben May i firmës Capital Economics të Londrës thotë se kjo nuk është thjesht çështje e imazhit dhe besimit. Sipas tij, borxhi i Italisë është aq i madh saqë ky vend, i cili përbën ekonominë e tetë më të madhe të botës, nuk do të mund ta paguajë dot të gjithë dhe kjo mund të ketë pasoja rajonale dhe globale.

"Frika rreth Italisë është në rritje dhe sigurisht ne mendojmë se ekziston mundësia reale që ajo të mos arrijë të paguajë dot këstet e borxhit."

Ekonomistja me origjinë italiane, Leila Simona Talani e Kolegjit Mbretëror të Londrës, thotë se shqetësime të tilla janë të pajustifikuara:

"Nuk mendoj se situata është jashtë kontrollit. E di se jo-italianët kanë përshtypjen se një borxh i tillë i madh nuk mund të kontrollohet. Ky është një borxh i madh. Por italianët e dinë, megjithatë, se ky borxh është i financuar nga vetë italianët, dhe ka shumë gjasa të vazhdojë të paguhet prej tyre qoftë edhe me një përqindje më të lartë se më parë."

Por Bashkimi Evropian ka vënë kushte të ashpra për financimin e ekonomive në vështirësi duke këmbëngulur në një monitorim të fuqishëm.

Tashmë, planet e shkurtimeve kanë shkaktuar trazira shoqërore, veçanërisht në Greqi.

Edhe në Britani ka patur demonstrata, si këtë javë nga ana e studentëve që protestojnë kundër rritjes së tarifave arsimore që kanë ardhur nga ulja e shpenzimeve qeveritare për të shmangur një skenar italian ose grek.

Disa ekspertë janë të shqetësuar se shkurtimet e ashpra mund të çojnë në një recesion të zgjatur në disa vende, dhe kanë filluar të bëjnë thirrje për shpenzime që do të nxisnin rritjen:

"Kemi humbur fuqinë konkurruese dhe produktivitetin. Prandaj duhet investuar në këto fusha."

Kjo është diçka e vështirë të kapërdihet për udhëheqësit evropianë, vëmendja e të cilëve është përqendruar te reduktimi i borxhit dhe te përpjekjet për të bindur investitorët se vendet me probleme financiare mund të arrijnë të jetojnë brenda mundësive të tyre.

XS
SM
MD
LG