Lidhje

Ekonomitë evropiane përballë problemit të borxheve masive

  • Zëri Amerikës

Ekonomitë evropiane përballë problemit të borxheve masive

Ekonomitë evropiane përballë problemit të borxheve masive

Njoftimi i Bankës Qendrore Amerikane për t’i mbajtur përqindjet e interesit të pandryshuara, në nivelet e tanishme tepër të ulëta, për 2-3 vjetët e ardhshëm, ka qetësuar disi investitorët. Si rezultat bursat në Evropë dhe në të gjithë botën shënuan sot ngritje, por më pas u ulën 3 deri në 4 përqind. Por probleme më të mëdha i kanosen ekonomive evropiane. Në pritje të gjetjes së një zgjidhjeje, rajoni mbetet ende në kthetrat e krizës:

Vendimi i Rezervës Federale Amerikane u mirëprit nga analistët dhe investitorët në Evropë.

Fidel Helmer, analist i tregut pranë kompanisë Hauck & Aufhaueser në Frankfurt thotë se deklarata e fundit krijon mundësi për parashikime më afat-gjata për tregun:

“Ky ishte një sinjal i mirë për Amerikën, pasi u jep kompanive siguri në planifikime dhe fakti që mund të marrin kredi më të lira u jep një farë sigurie për 2-3 vjetët e ardhshëm”.

Megjithatë, investitorët nuk e kanë harruar ende periudhën e paqartë të javëve të fundit, që rezultoi në rënien e tregjeve në masën 20 për qind.

Shqetësimet për gjendjen e ekonomisë amerikane janë shtuar që kur qeveria publikoi të dhënat e fundit që tregonin se ekonomia më e madhe e botës është rritur me ritme shumë më të ulëta në gjashtë mujorin e parë të vitit 2011, se ç’kishin parashikuar ekonomistët.

Kriza e borxhit në vende të Eurozonës mbetet shqetësim i madh. Investitorët po ndjekin me ankth fatin e Italisë dhe Spanjës, me shpresën që këto vende të mos bëhen viktimat e reja të barrës së borxheve. Këto shqetësime i kanë bërë të padëshirueshme letrat me vlerë të qeverisë italiane dhe asaj spanjolle, duke krijuar një efekt domino që çoi në ngritjen e kostos së marrjes së kredisë për këto vende.

Banka Qendrore Evropiane ndërhyri të hënën duke blerë bono thesari me vlerë prej miliarda dollarësh. Për momentin ky veprim duket se ka ndihmuar.

Ndërkaq, udhëheqësit evropianë janë bërë objekt kritikash që kanë ikur me pushime në një kohë të tillë krize. Në këto momente po qarkullon ideja që Eurozona të rrisë masën e paketës së ndihmës. Por Gjermania, ekonomia më e fortë e kontinentit, nuk duket e gatshme për të ofruar ndihmë më të madhe për fqinjët. Një tjetër shqetësim është vlerësimi që do të marrë tregu financiar francez nga agjencia Standard and Poor’s. Nëse kjo agjenci ul vlerësimin për Francën, ashtu siç bëri me Shtetet e Bashkuara, paniku në treg mund të rritet gjë që bën edhe më kritike krizën.

XS
SM
MD
LG