Lidhje

Ekpertët dhe diplomatët komentojnë pas vendimit mbi Kosovën

  • Keida Kostreci

Këshilltari ligjor i Departamentit të Shtetit, Harold Hongju Koh theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kishin pasur asnjëherë dyshim për pavarësinë e Kosovës.

Ne besojmë se opinioni këshillimor i Gjykatës i tret dyshimet ligjore të ngritura nga Serbia kur paraqiti kërkesën për këtë opinion.

Ai tha se votimi 10 në favor dhe 4 kundër, është i thellë për kriteret e gjykatës. Ai shtoi se gjykata dha një përgjigje thjesht për pyetjen që i ishte bërë, pra nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme dhe kështu nuk dha mendime për të drejtat e vetëvendosjes apo ndarjes sipas ligjit ndërkombëtar.

Ne i kërkojmë Serbisë dhe Kosovës që tani të mos merren më me këto çështje ligjore dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Kristofer Dell i bëri jehonë deklaratës së Sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton se Kosova dhe Serbia duhet të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të ecin përpara. Ai tha se ato kanë shumë çështje për të diskutuar, përfshirë atë të personave të zhdukur nga periudha e konfliktit, shtetin ligjor, dhe energjinë.

Ne shpresojmë që me këtë çështje ligjore të zgjidhur, të dyja palët të gjejnë një mënyrë që të fillojnë të diskutojnë disa nga këto çështje shumë praktike, me të cilat të dyja duhet të merren për të lehtësuar përparimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sigurisht ky është një proces që të dyja palët do të duhet ta përcaktojnë së bashku.

Por tani për tani nuk dihet sesi ky bashkëpunim mund të realizohet. Presidenti serb Boris Tadiç ka thënë se Serbia do të vazhdojë të luftojë për ta rimarrë Kosovën, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore dhe paqësore. Ndërsa kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e quajti vendimin, përgjigjen më të mirë të mundur për mbarë botën.

XS
SM
MD
LG