Lidhje

Ekspertët diskutojnë për transformimet në Egjipt


Ekspertët diskutojnë për transformimet në Egjipt
Ekspertët diskutojnë për transformimet në Egjipt

Tani që ushtria ka marrë pushtetin në Egjipt, shtrohet pyetja se kur apo nëse ajo do ta kthejnë atë përsëri. Por një tjetër vend islamik nën regjimin autokratik në anën tjetër të botës zhvilloi një kryengritje 13 vjet më parë me vullnetin e popullit dhe krijoi një shtet me demokraci funksionale. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Gary Thomas, përvoja e Indonezisë mund të sjellë mësime edhe për Egjiptin.

Pas gati tre dekadash në pushtet një regjim auokratik i një vendi me shumicë myslimane e gjeti veten papritur nën presion pas protestave masive në rrugë. Ushtria e detyroi presidentin, një ish gjeneral, të jepte dorëheqjen duke sjellë festime madhështore në rrugë.Ushtria ende ka pushtet të konsiderueshëm pas dorëheqjes së sunduesit.

Por këtu nuk po flasim për Egjiptin dhe sunduesi i përmbysur nuk është Hosni Mubarak. Po flasim për Indonezinë dhe presidenti i rrëzuar është Suharto.

Ish drejtoresha e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për marrëdhëniet aziatike Karen Brooks thotë se ka paralele të rëndësishme mes Egjiptit 2011 dhe Indonezisë në vitin 1998.

"Në të dyja vendet pamë aleatë afatgjatë të Shteteve të Bashkuara, Mubarakun dhe Suharton, secili i mbështetur nga Amerika për gati 30 vjet – dhe ndoshta kjo ishte në kurriz të zhvillimit të demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut – pra të dy këta sundues u rrëzuan falë faktorëve fillimisht të jashtëm – në Indonezi, kriza financiare aziatike, kurse në Egjipt nga shembulli në Tunizi."

Ushtria ka patur një rol të rëndësishëm politik në Egjipt dhe Indonezi megjithëse mund të argumentohet se ky rol ishte më i drejtpërdrejt në Indonezi. Ushtria indoneziane nën sundimin e Suhartos kishte të ashtuquajturin funksion të dyfishtë ku luante një rol politik dhe atë të sigurisë. Karen Brooks që ishte një koordinuese e rëndësishme e politikës së administratës Klinton për Indonezinë thekson se të dyja ushtritë ishin lojtare kryesore në orkestrimin e ngjarjeve.

"Në të dyja rastet ushtria është një institucion nacionalist laik që luajti dhe vazhdon të luajë, veçanërisht në Egjipt, një rol kritik në përcaktimin e trajektores së ngjarjeve. Si në Egjipt edhe në Indonezi ushtria luajti një rol kryesor në rrëzimin nga pushteti të udhëheqësve respektiv."

Egjipti është tani nën regjimin e Këshillit Suprem dhe Forcave të Armatosura të drejtuara nga ushtria. Analistët thonë se është gjithmonë shqetësuese nëse ushtria në çdo vend post-revolucionit nuk e kthen përsëri pushtetin tek kontrolli civil. Por ish analisti i CIAs Emile Nakhleh thekson se, kështu ndodhi në Indonezi, pjesërisht për shkak të trajnimit që ata morën në institucionet e ushtrisë amerikane.

"Ushtria indoneziane kishte shumë nga këta oficerë që ishin trajnuar në Shtetet e Bashkuara. Ata kuptuan se rruga më e mirë për të ecur përpara është kontrolli civil i pushtetit. Kështu që ushtria ishte prapa skenës duke thënë se kërkonin të mbronin Indonezinë, pavarësisht regjimit."

Por a do të ndodhë e njëjta gjë në Egjipt? Analistët theksojnë se ashtu si homologët e tyre indonezianë shumë oficerë egjiptianë janë trajnuar në Shtetet e Bashkuara.

Ish oficeri i CIAs Emile Nakhleh thotë se së pari, hapi më i rëndësishëm për ushtrinë egjiptiane është të heq gjendjen e jashtëzakonshme.

"Kur do ta heqin gjendjen e jashtëzakonshme? Ata kanë shpërndarë parlamentin që pshtë hapi i parë i duhur. Ata çfuqizuan kushtetutën. Kanë mbajtur qeverinë aktuale si një qeveri tranzicioni për gjashtë muaj. Por mendoj se kryesorja është heqja e gjendjes së jashtëzakonshme. Për mua, kjo është prova kryesore."

Gjendja e jashtëzakonshme u jep forcave të sigurisë pushtet më të gjerë.

XS
SM
MD
LG