Lidhje

Ekspertët: E. Coli mund të përhapet edhe në SHBA


Ekspertët: E. Coli mund të përhapet edhe në SHBA
Ekspertët: E. Coli mund të përhapet edhe në SHBA

Shkaku i përhapjes së E. colit në Gjermani mbetet një mister. Ky është shpërthimi më vdekjeprurës i këtij lloji në historinë moderne: të paktën 24 vetë kanë humbur jetën dhe më shumë se 2400 njerëz janë sëmurur. Njëmbëdhjetë vende të tjera evropiane dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë raportuar raste me E. coli raste dhe shumica e viktimave kishte vizituar Gjermaninë. Por disa zyrtarë të shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara thonë se mund të jetë vetëm një çështje kohe para se një shpërthim i ngjashëm i E.colit të ndodhë në Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët kudo në botë janë në garë për të gjetur shkakun e shpërthimit vdekjeprurës të E. colit që filloi në Gjermani më 2 maj. Ata nuk kanë mundur të identifikojnë burimin e variantit të rrallë super toksik të bakteries E. Coli, që ka shkaktuar mbi njëzet të vdekur dhe ka sëmurur mijëra të tjerë. Së paku katër vetë në Amerikë që kanë vizituar Gjermaninë janë sëmurur. Gastroenterologia Robynne Chutkan, në Spitalin Georgetown të Uashingtonit, thotë se së shpejti në Shtetet e Bashkuara do të ketë edhe raste të tjera me E. Coli.

"Në mes të SHBA dhe Evropës ka aq shumë udhëtime saqë është plotësisht e mundshme që në javët e ardhshme të shohim disa shpërthime të këtij varianti të ri dhe më të fortë të E. colit këtu në Shtetet e Bashkuara."

Shpërthimi i E. colit në Gjermani ka lënë qindra njerëz të shtruar në spitale me komplikacione të rrezikshme për veshkat. Ndërkohë, zyrtarët e shëndetit në Shtetet e Bashkuara publikuan të dhëna që tregojnë se një numër në rritje njerëzish ishin sëmurur nga forma të rralla të E. colit në Amerikë vitin e kaluar. Pat Buck është drejtore ekzekutive e Qendrës për Studimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të shkaktuara nga Ushqimet. Ajo e themeloi këtë qendër në vitin 2006, pas vdekjes së nipit të saj Kevin nga ushqimi i infektuar me E-coli. Zonja Buck thotë se për përmirësimin e sigurisë së ushqimeve në SHBA mund të bëhet më shumë.

"Po të shikojmë kontaktet mes njerëzve dhe kafshëve atëhere mund ta bëjmë lidhjen, sepse sëmundjet që shkaktohen nga ushqimet fillojnë nga sëmundjet e kafshëve."

Doktore Chutkan thotë se forma e keqe e E. Colit që ka goditur Evropën shtron nevojën për më shumë testime të ushqimeve këtu në Shtetet e Bashkuara për parandalimin e varianteve të tilla të rralla të bakterieve.

"Një nga aspektet e frikshme dhe mjaft sfiduese është se sëmundje të tilla prekin shumë lloje ushqimesh ndërkohë që më parë ne mendonim se E. coli ishte diçka që lidhej kryesisht me mishin. Tani ne po e shohim atë edhe tek perimet: domatet, trangujt, lakrat e ndoshta edhe sallata jeshile".

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë tërhequr vemendjen e zyrtarëve të shëndetit dhe kanë kërkuar informacione në lidhje me njerëzit që mund të jenë testuar pozitivë për E.coli. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve po shton analizat e ushqimeve të importuara nga vendet e prekura. Janë nxjerrë gjithashtu ligje të reja që i kërkojnë qeverisë vendosjen e standardeve për mbrojtjen ndaj çdo lloj kontaminimi në perimet e freskëta.

Dr Thomas Tallman, nga Clevelandi, thotë se shpërthimi i E. colit në Evropë duhet të shërbejë si alarm që njerëzit të marrin masa shtesë për të pastruar si duhet perimet dhe frutat.

"Unë blej një lloj spërkatësi që shitet që supermerkato, i spërkas perimet dhe i shpëlaj menjëherë”.

Shpërthimit i E. colit në Evropë ka shtuar trysninë e grupeve të konsumatorëve ndaj zyrtarëve amerikanë që ata të testojnë për forma të tjera të bakteries mishin e lopës. Ata kërkojnë gjithashtu rregulla më të rrepta për kompanitë që përpunojnë mishin për të parandaluar ndotjen me E. coli nëpër thertore.

XS
SM
MD
LG