Lidhje

Ekspertët: Greqia ka bërë përparim për zgjidhjen e krizës së borxhit

  • Zëri Amerikës

Ekspertët: Greqia ka bërë përparim për zgjidhjen e krizës së borxhit

Ekspertët: Greqia ka bërë përparim për zgjidhjen e krizës së borxhit

Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian thanë se Greqia ka bërë përparim të ndjeshëm për zgjidhjen e krizës së borxhit por ende përballet me sfida të mëdha. Ekspertët thanë pas analizës së tremujorit të kaluar se Greqia ka nisur tani një start të fuqishëm. Ndërkohë, ata shprehën shqetësim rreth aftësisë së vendit për të vënë në zbatim reforma në aspektin e taksave dhe të buxhetit.

Kjo është analiza e parë që i bëhet ekonomisë greke që kur vendi ra dakord t’i nënshtrohet një plani shkurtimesh për të marrë kredinë prej 136 miliard dollarësh të ofruar nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian që do ta shpëtonte Greqinë nga falimentimi.

Shefi i misionit të FMN-së për Greqinë, Poul Thomsen, tha gjatë një konference për shtyp se megjithë përparimin e jashtëzakonshëm të Greqisë me reformat, mbeten ende sfida të mëdha dhe punë e madhe për të bërë:

"Në muajt e ardhshëm, në bazë të këtij programi do të vihen në zbatim një numër masash për të forcuar kontrollin mbi shpenzimet ku ende ekzistojnë rreziqe që duhen zbutur. Reformat duhet të vazhdojnë. Për shembull, reforma e pensioneve është vërtet e jashtëzakonshme nga çdo standard ndërkombëtar që ta shikosh por megjithatë, pjesa më e madhe e punës mbetet ende për të bërë,” tha zoti Thompson.

Ekspertët i kërkuan Greqisë që ta bëjë më kompetitive industrinë e saj të transportit me kamiona.

Sot, zyrtarët e BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane i dhanë fund vizitës dyjavore në Greqi që synonte të përcaktonte nëse vendi ka bërë përparim të mjaftueshëm për të marrë pagesën tjetër të ndihmës prej 12 miliard dollarësh. Pas kësaj analize, ekspertët pritet të mblidhen për të vendosur mbi miratimin e huasë tjetër.

Megjithatë, analistët thonë se do të jetë e vështirë që Greqia të arrijë plotësisht objektivin për të shkurtuar deficitin buxhetor në masën 5.5 përqind brenda këtij viti për shkak të të ardhurave të pakta dhe recesionit.

Por zoti Thomsen tha se kjo mund të arrihet:

"Kohët e fundit shikojmë se atmosfera e tregjeve financiare ka filluar të përmirësohet. Tregjet po fillojnë ta kuptojnë se Greqia po ndërmerr reforma të mëdha dhe gjërat po ndryshojnë."

Greqia u zhyt në recesion në vitin 2009 dhe prodhimi i përgjithshëm kombëtar pritet të tkurret edhe 4 përqind këtë vit.

XS
SM
MD
LG