Lidhje

Ekspertët: Komunitetet e forta myslimane ndihmojnë në parandalimin e akteve terroriste


Ekspertët: Komunitetet e forta myslimane ndihmojnë në parandalimin e akteve terroriste
Ekspertët: Komunitetet e forta myslimane ndihmojnë në parandalimin e akteve terroriste

Tre burra nga Ralli, i Karolinës së Veriut dolën në gjyq javën e kaluar nën akuzat se ndihmonin në organizimin e sulmeve terroriste nëpër botë. Ata janë mes 200 myslimanëve, që janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara nën dyshimet për veprimtari terroriste që prej sulmeve të 11 shtatorit 2001. Një grup kërkimor thotë se komunitetet e forta me xhami të organizuara mirë mund të jenë më të efektshme se sa forcat e rendit në parandalimin e radikalizmit.

4-vjeçari Abdulrahman Asal del përjashta për të luajtur pasi ka mbaruar ditën e kopshtit dhe ai inkurajohet nga i jati.

Imam Sameh Asal, i lindur në Egjit, thotë se Qendra Islamike në Ralli është një qendër paqeje dhe jo stërvitjesh për terroristët. Ai thotë se kjo qendër përpiqet të luftojë radikalizmin nëpërmjet arsimimit të myslimanëve të komunitetit:

“Përpjekjet nuk janë vetëm arsimore, por edhe sportive. Ne zhvillojmë gjithashtu aktivitete shoqërore, herë herë bëjmë piknik si dhe organizojmë kampe për të rinjtë që ata të mos ndjehen të lënë mënjanë e të izoluar”.

Disa mendojnë se një ndjenjë izolimi bëri që Mohammad Omar Aly Hassan, Zijad Jagi and Hysen Sherifi të përfundonin në burg. Hysen Sherifi nga Kosova dhe me banim në Karolinën e Veriut u arrestua para 2 vjetësh. Tre të akuzuarit, që shkonin në Qendrën Islamike të Rallit, u arrestuan nën akuzat për komplot në sulme terroriste nëpër botë.

Personi i katërt, Daniel Patrick Boyd, i akuzuar si udhëheqës i grupit, e ka pranuar fajësinë. Prokurorët thonë se ai u largua nga xhamia sepse mendonte se ajo ishte tepër e moderuar.

Si rezultat i arrestimeve për terrorizëm, shumë amerikanë ngrenë pyetjen se çfarë ndodh në xhamitë si kjo në Ralli.

“Ushqimi i të varfërve dhe njerzve në nevojë si dhe ndihmat për të tjerët, këto janë gjithashtu akte adhurimi, që na sjellin më afër Allahut”.

Imami Saleh thotë se islamizmi predikon bamirësinë, pranimin e besimeve të tjera fetare dhe respektimin e ligjit.

Ky është një mesazh që studjuesit në Qendrën Triangle për terrorizmin dhe sigurinë kombëtare afët Rallit thonë se është mbizotërues, madje edhe shumë xhami të tjera kanë shtuar shërbimet shoqërore.

Profesori i Universitetit Duke, David Schanzer, njëri prej studiuesve, thotë se komunitetet e forta mund të bëjnë më shumë se sa forcat e rendit në parandalimin e veprimtarive terroriste.

"Shumë aktivitete që zhvillohen, si për shembull hapja e qendrave të komunitetit, edukimi, donacionet ushqimore dhe gjëra të tjera të kësaj natyre, ndihmojnë në fuqizimin e komunitetit, një rrjet më i gjerë, i cili ndihmon që njerzit të mos mbeten të izoluar dhe bëhen pre e ndjenjave radikale”.

Profesori Schanzer thotë se arrestimi i amerikanëve myslimanë, që akuzohen për terrorizëm, shpesh është rezultat i informacionit të dhënë nga komunitetet myslimane. Profesori mendon se kjo është provë se dënimet e shpeshta të terrorizmit nga imami Sameh Asal dhe imamë të tjerë nuk bëhen thjeshtë për propagandë.


XS
SM
MD
LG