Lidhje

Ekspertët mirëpresin fotot e reja paralajmëruese në paketat e cigareve

  • Vidushi Sinha
  • Astrit Lulushi

Ekspertët mirëpresin fotot e reja paralajmëruese në paketat e cigareve

Ekspertët mirëpresin fotot e reja paralajmëruese në paketat e cigareve

Agjencia amerikane e ushqimit dhe ilaçeve ka filluar një fushatë të re paralajmërimesh kundër pirjes së duhanit. Paralajmërimet përbëhen nga fotografi me pamje tronditëse dhe mesazhe, të cilat duhet të mbulojnë gjysmën e çdo pakete cigaresh dhe të përbëjnë 20 përqind të çdo reklame të duhanit. Ekspertët e shëndetit theksojnë se amerikanët tani po u bashkohen më shumë se 30 vendeve të cilat i kanë bërë paralajmërime të tilla të detyrueshme.

Agjencia e ushqimeve dhe barnave thotë se imazhet mbizotëruese duhet të shfaqen në paketat e cigareve dhe në reklama jo më vonë se shtatori i vitit të ardhshëm. Margaret Hamburg është komisionere e agjencisë:

"Këto etiketa grafike paralajmëruese synojnë të tërheqin vemendjen e një gamë të gjerë duhanpirësish dhe të duhanpirësve të mundshme."

Paralajmërimet përfaqësojnë një nga ndryshimet më të rëndësishme në etiketat e cigareve në më shumë se 25 vjet. Ato janë foto të ndryshme - duke përfshirë dhëmbë të kalbur dhe outopsi të një organi - që do të mbulojnë gjysmën e sipërme të dy anëve të paketës.

Sekretarja e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Kathleen Sebelius thotë se këto imazhe do të jenë mesazhet më të rrepta dhe më efektive që janë përdorur ndonjëherë kundër duhanit.

"Me këto paralajmërime - çdo person i cili zgjedh një paketë cigare do të dijë saktësisht se çfarë rreziku e pret."

Niveli i pirjes së duhanit në Shtetet e Bashkuara ka rënë ndjeshëm që nga viti 1960. Por Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thotë se 46 milionë amerikanë - 1 në 5 persona - ende pijnë dhe rreth 443 mijë amerikanë vdesin çdo vit prej sëmundjeve që lidhen me duhanin. Qendra për kontrollin e sëmundjeve thotë se pirja e duhanit është përgjegjëse për 90 për qind të të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive tek meshkujt dhe 80 përqind tek gratë.

Dr Thomas Frieden, drejtori i kësaj qendre thotë se industria shumë-miliardëshe amerikane e duhanit është gjithmonë në kërkim të tregjeve të reja dhe e ka kthyer vëmendjen e saj jashtë shtetit.

"Në vendet e Afrikës, ku pirja e duhanit nuk është shumë e përhapur, kjo industri sheh mundësitë për të shtuar pirjen e duhanit, dhe në rastin e vendeve si Kina, ku pirja e duhanit mbetet e përhapur, industria e duhanit do të donte që ta ruante këtë nivel."

Ekspertët e shëndetit thonë se imazhet grafike dhe paralajmërimet mund t'i kundërvihen përshtypjes se pirja e duhanit është joshëse apo "cool". Studimet kanë treguar se fushata të ngjashme kanë ulur ndjeshëm përdorimin e duhanit në Uruguaj, Brazil, Kanada dhe Australi.

"Përvoja në një sërë vendesh nga e gjithë bota tregon se me vullnet politik dhe veprim të fokusuar ne mund të shpëtojmë më shumë se 100 milion jetë njerëzish gjatë dekadave të ardhshme."

Në një deklaratë për agjencinë e ushqimeve dhe barnave, kompanitë e duhanit kundërshtuan paralajmërimet e reja, duke argumentuar se vendosja e detyruar e imazheve të tilla në paketa e cigareve shkel të drejtën e tyre kushtetuese për lirinë e fjalës. Ata shprehen se duke u kërkuar për të mbuluar gjysmën e paketës me imazhe grafike, qeveria nuk paralajmëron konsumatorët për rreziqet e pirjes së duhanit, por u thotë atyre që të mos e blejnë ose përdorin këtë produkt.

XS
SM
MD
LG