Lidhje

Ekspertët: SHBA duhet të kushtëzojë ndihmën ushtarake për Egjiptin me tranzicionin demokratik

  • Sindi Sejn

Ekspertët: SHBA duhet të kushtëzojë ndihmën ushtarake për Egjiptin me tranzicionin demokratik

Ekspertët: SHBA duhet të kushtëzojë ndihmën ushtarake për Egjiptin me tranzicionin demokratik

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme ka mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me implikimet për politikën e jashtme amerikane të ngjarjeve të fundit në Egjipt dhe Liban. Ekspertët e Lindjes së Mesme thanë se Kongresi dhe administrata e Presidentit Obama duhet t’i dërgojnë një mesazh të fortë ushtrisë egjiptiane se ndihma e mëtejshme amerikane do të varet nga respektimi i të drejtave të protestuesve dhe mbështetja për një tranzicion demokratik nga ana e ushtrisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sindi Sejn, njofton nga Kapitoli.

Shumë prej ligjvënësve në seancën dëgjimore dje lavdëruan egjiptianët që kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime demokratike dhe që Presidenti egjiptian Hosni Mubarak të japë dorëheqjen. Kongresisti demokrat Geri Akerman i Nju Jorkut i bëri thirrje Presidentit Barak Obama ta bëjë të qartë se qeveria amerikane është përkrah protestuesve.

“Populli do që të jetë i lirë. Sa kënaqësi është të shohësh se populli nuk po shkel flamurin tonë nëpër rrugë teksa ngre flamurin e vet? Sa frymëzuese të shohësh popullin në atë pjesë të botës gati të vdesë për të ardhmen e fëmijëve të vet, në vend që të dërgojë vetë fëmijët që të vdesin? Populli do që të jetë i lirë. Duhet të radhitemi pa u lëkundur në anën e tyre”.

Një nga rolet kryesore që luan Kongresi në hartimin e politikës së jashtme është miratimi ose ndalimi i ndihmës për vendet e huaja. Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme, republikanja Ileana Ros-Lehtinen, tha se qeveri pas qeverie në Amerikë kanë dështuar të marrin parasysh thirrjet e ligjvënësve që të kushtëzohet ndihma ekonomike e ushtarake nga Shtetet e Bashkuara me respektimin e të drejtave të njeriut. Ajo tha se Uashingtoni po bën të njejtin gabim në Egjipt dhe Liban, ku grupi militant Hezbollah po luan një rol në rritje në qeveri.

“Uashingtoni po këmbëngul gjithashtu që të vazhdohet dhënia e ndihmës qeverisë libaneze, në të cilën Hezbollahu ka faktikisht fuqi vetoje”.

Zonja Ros-Lehtinen tha se Shtetet e Bashkuara duhet të ndjekin një strategji afatgjate të mbështetjes së grupeve demokratike në Lindjen e Mesme dhe kudotjetër.

Eliot Abrams i grupit kërkimor “Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë” tha se është koha që Shtetet e Bashkuara të përdorin për të mirë ndihmën financiare.

“Mendoj se duhet t’ia bëjmë të qartë ushtrisë së Egjiptit se nuk e kemi borxh t’i japim miliarda dollarë në vit siç bëjmë tani. Sjellja e tyre do të përcaktojë sesa shumë ndihmë do të marrin”.

Robert Satlof nga Instituti i Uashingtonit për Politika ndaj Lindjes së Mesme thotë se beson që politika e administratës së Presidentit Obama ndaj protestave në Egjipt ka qenë e qëlluar deri më tash dhe se pajtohet që ndihma ushtarake duhet kushtëzuar me ndryshime pozitive.

“Administrata mbajti qëndrimin e duhur duke përkrahur idenë për ndryshime dhe frymën demokratike në zemrën e protestuesve, ndërsa po vepronte në bazë të vlerësimit të arsyeshëm se ushtria egjiptiane ishte dhe mbase mbetet kyçi për zgjidhjen e një krize kombëtare që ka vënë miliona protestues kundër një presidenti të izoluar dhe kryeneç”.

Të gjithë ekspertët në panel u pajtuan që Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ndërpresin ndihmën për ushtrinë egjiptiane tani, por të presin dhe të shohin nëse ushtria do të zgjedhë të përkrahë ndryshimet demokratike.

XS
SM
MD
LG