Lidhje

Ekspertët: Gjyq ushtarak për ushtarin e ndaluar për vrasjen e 16 afganëve

  • Meredith Buel

Zyrtarë amerikanë dhe afganë thonë se ushtari doli nga baza e tij dhe sulmoi banorët e fshatit, shumë prej të cilëve gra dhe fëmijë.

Banorët thonë se ai gjithashtu i vuri zjarrin disa prej trupave të viktimave.

Ekspertë të së drejtës ushtarake të Shteteve të Bashkuara thonë se në qoftë se hetimet nxjerrin në dritë prova të mjaftueshme, ndaj rreshterit të ushtrisë do të ngrihen akuza dhe ai do t’i nënshtrohet një gjyqi ushtarak.

Eugene Fidell jep leksione të së drejtës ushtarake në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Yale.

“Do të ketë avokatë nga të dyja palët. Do të ketë një gjykatës ushtarak, një juri prej të paktën 5 anëtarësh, dhe nëse akuzat parashikojnë edhe një dënim të mundshëm me vdekje, juria do të përbëhej nga të paktën 12 anëtarë.”

Parlamenti i Afganistanit i dënoi vrasjet dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit me anë të një procesi gjyqësor publik dhe t’i dënojë ata.

Zoti Fidell thotë se gjasat janë që i dyshuari të mbahet nga Shtetet e Bashkuara.

“Nuk ka aspak mundësi që ky individ t’i dorëzohet sistemit gjyqësor afgan. Por duhet patur parasysh se gjyqet ushtarake janë të hapura për publikun. Pra, do të ishte një gjyq me dyer të hapura edhe për publikun dhe mediat afgane.”

Kjo masakër është incidenti i fundit i një sërë veprimesh të trupave ndërkombëtare që kanë shkaktuar reagime të ashpra në Afganistan, përfshi djegjen e librave të Kuranit në një bazë ushtarake amerikane. Këto ngjarje mund të vënë në rrezik negociatat delikate mbi një marrëveshje strategjike lidhur me rolin e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, pas largimit nga vendi të trupave luftarake, në vitin 2014.

Richard Weitz është analist i çështjeve ushtarake i Institutit Hudson.

“Efekti afatshkurtër është se do të jetë më e vështirë të arrihet marrëveshja mbi statusin e trupave. Ky problem u shfaq edhe në Irak. Arsyeja për të cilën irakianët refuzuan t’i jepnin forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara imunitet ligjor bazohej pikërisht mbi sjellje jo të rregullta të trupave amerikane gjatë kohës së pushtimit. Ka shqetësime se një situatë e tillë mund të përsëritet në Afganistan.”

Zyrtarët thanë se ushtari u vetëdorëzua pas masakrës.

Eugene Fidell i Universitetit Yale thotë se rreshteri mund të jetë duke u mbajtur jashtë Afganistanit.

“Nuk mund të përjashtohet mundësia që ai të jetë transferuar. Ekziston një detyrim për mbrojtjen ndaj dhunës hakmarrëse të personave të ndaluar dhe nuk do të habitesha nëse do të kishte tentativa për vrasje ndaj tij, përveçse nëse ne marrim masa të forta për të parandaluar një gjë të tillë.”

Si Presidenti Barack Obama ashtu edhe Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe kanë premtuar hetime të plota.

XS
SM
MD
LG