Lidhje

Ekspozitë me piktura kushtuar çështjeve të mjedisit sot dhe në të ardhmen


Ekspozitë me piktura kushtuar çështjeve të mjedisit sot dhe në të ardhmen
Ekspozitë me piktura kushtuar çështjeve të mjedisit sot dhe në të ardhmen

Çështjet e mjedisit janë tema të preferuara për artistët bashkëkohorë. Por një nga të parët që ka trajtuar tema të tilla si biodiversiteti dhe ngrohja globale është Aleksis Rokman. Muzemi Smithsonian i Artit Amerikan ka hapur ekspozitën e parë retrospektive të artistit. Të ndjekim disa hollësi për këtë ekspozitë.

Duket qartë se Aleksis Rokman e dashuron natyrën, por vemendjen e tij prej artisti nuk e tërheq aq bukuria e natyrës se sa fenomenet e veçanta të saj.

"Mendoj se bretkocat janë interesante, me një pamje magjike, po ashtu të mrekullueshme janë edhe breshkat. Ndoshta mua më tërheqin gjërat që nuk janë të dashura”.

Kjo shihet në shumë nga punimet e para të Rokmanit, veçanërisht piktura e tij monumentale e 1992 me titull “Evolucioni”, një pejsazh imagjinar me kafshë reale dhe ai shpjegon:

"Unë e konceptova fillimisht si një listë. Përgjithësisht unë kështu e organizoj informacionin. E filloj si një seri ngjarjesh, emrash dhe gjërash që mund të ndodhin e shfaqen. Është një lloj sikur dekoron pemën e Krishtlindjeve”.

Një udhëtim në Guajanë në vitin 1994 e frymëzoi për piktura më shkencore të florës dhe faunës që i pa në pyjet tropikalë. Por kur u kthye nga udhëtimi, ai u përqendrua tek ndikimi i njeriut ndaj natyrës. Ndonjëherë ai përdor humorin për të shprehur esencën. Në raste të tjera qasja e tij është më e hollë. Por mesazhi i tij është fare i qartë në punimin e tij të nisur në vitin 2000 dhe e përfundoi katër vjet më parë, një pikturë murale shtatë metra e gjatë me titull “Manifest Destiny”, Manifesti i Fatit. Kuratorja Xhoana Marsh shpjegon:

"'Manifest Destiny’ përshkruan Bruklinin buzë ujit 300 vjet më pas, pasi ngrohja globale ta ketë shkatërruar qytetin port të Nju Jorkut. Ky është një nga punimet e tij të para ku ai përqendrohet në temën e ndryshimeve klimatike”.

Kjo pikturë murale u pasua nga një seri pejsazhesh amerikane të ndikuara nga ndyshimet klimatike. Trajtimi i kësaj teme çoi në ekspozitën me titull “A Fable for Tomorrow", Një Fabul për të Nesërmen”, e frymëzuar nga libri i ambjentalistes së shquar Rejçëll Kerson, Silent Spring, Pranvera e Heshtur.

Rokman thotë se me kalimin e viteve ai është bërë më skeptik nëse njerëzit do ta zgjidhin problemin e ngrohjes globale para se të jetë tepër vonë, por ekspozita e Artit Amerikan në Muzeumin Smithsonian i jep atij shpresë.

"Sepse ajo tregon se ekziston një parë ndërgjegjësimi dhe vullneti për të ekspozuar punime të tilla në muret e një institucioni qeveritar. Kjo është diçka fantastike që më ngjall optimizëm”.

Ekspozita përfshin punime nga kariera 24 vjeçare e Rokmanit. Në moshëm 48 vjeçare, ai ka edhe shumë vite të tjera përpara për të sfiduar njerëzit me artin e tij.

XS
SM
MD
LG