Lidhje

Ekstradimi i Almir Rrapos drejt SHBA nxit reagimin e Këshillit të Europës

  • Armand Mero

Ekstradimi i Almir Rrapos drejt SHBA nxit reagimin e Këshillit të Europës

Ekstradimi i Almir Rrapos drejt SHBA nxit reagimin e Këshillit të Europës

Ekstradimi nga autoritetet shqiptare i shtetasit Almir Rrapo drejt Shteteve të Bashkuara ka nxitur reagimin edhe të Këshillit të Europës, i cili ka shprehur shqetesim për mosmarrjen parasysh të një vendimi të ndërmjetëm të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut e cila kërkonte mos ekzekutimin e tij pa u dhënë më parë një vendim i Gjykatës së Lartë në Tiranë.

Në një deklaratë të shpërndarë sot raporteri i Asamblesë Parliamentare të Këshillit të Evropës, per Nenin 39 të Gjykatës së Strasburgut që lidhet me masat e ndërmjetme që merr kjo gjykatë, David Darchiashvili, shprehu shqetësimin e thellë mbi veprimin e autoriteteve shqiptare te cilat sipas tij kane injoruar masën e dhënë nga Starsburgu. "Numri në rritje i shteteve anëtare që kanë injoruar së fundmi masat e ndërmjetme të kërkuara nga Gjykata sipas nenit 39 është një shqetësim i madh për Asamblenë Parlamentare,”, shprehet ai duke shtuar se "Shtetet anëtare duhet të përputhen plotësisht me letrën dhe frymën e masave detyruese sipas nenit 39. Të tilla praktika janë të papërgjegjshme dhe cënojnë autoritetin e Gjykatës” theksoi raporteri i Këshillit të Europës.

Sipas zotit Darchiashvili, “Asambleja Parlamentare do të debatojë rreth kësaj çështjeje në sesionin e janarit dhe sigurisht do të mbajë një qëndrim të qartë për të dënuar fuqimisht mosrespektimin në mënyrë të papranueshme të kërkesave të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” shtoi ai. Raporti i tij do të diskutohet bashkarisht me një raport tjetër të komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës.

Almir Rrapo i kërkuar nga drejtësia amerikane për një sërë krimesh që dyshohet të ketë kryer, që nga trafiku i lëndëvë narkotike deri te bashkëpunimi në vrasje, u ekstradua javën e shkuar, ndonëse Gjykata e lartë kishte nisur procedurat për trajtimin e kësaj cështje. Në fakt Gjykata e Lartë shqiptare rrëzoi më pas vendimin e dy gjykatave të tjera që ishin shprehur në favor të ekstradimit. Dërgimi i tij në Shtetet e bashkuara nxiti edhe reagimin e vetë Gjykatës të të drejtave të Njeriut e cila i kërkoi autoriteteve shqiptare shpjegime për rastin duke e konsideruar atë si shkelje flagrante dhe mungesë respekti për masën e dhënë prej saj.

XS
SM
MD
LG