Lidhje

Ekstremi i djathtë, faktor në rezultatin e balotazhit në Francë

  • Liza Brajant

Marine Le Pen, udhëheqësja e Frontit Kombëtar francez, e ekstremit të djathtë doli e treta në zgjedhjet e fundit presidenciale të muajit të kaluar. Përkrahësit e saj mund të jenë vendimtarë në përcaktimin e fituesit të balotazhit mes Presidentit Nikola Sarkozi dhe rivalit të tij, socialistit Francois Hollande. Korrespondentja Lisa Bryant njofton nga Parisi:

Mijëra përkrahës të Frontit Kombëtar që morën pjesë në demonstratat e përvitshme të 1 Majit në Paris ishin me humor shumë të mirë. Ata brohorisnin që udhëheqësja e partisë, Marine Le Pen, kishte dalë në vend të tretë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Ata shoqëruan me zhurma zonjën Le Pen që tallej me dy kandidatët që do të dalin në balotazh. Disa orë më pas dhe disa kilometra më tutje nga tubimi i Frontit Kombëtar, Presidenti Sarkozi zhvilloi një tubim po me rastin e 1 Majit:

Në një intervistë që dha për radion franceze, zoti Sarkozi thotë se është e rëndësishme të dëgjohet zëri i atyre që votuan për Frontin Kombëtar. Vota e tyre është një klithmë revoltimi dhe dëshpërimi, thotë ai, në një kohë kur ekonomia franceze lëngon dhe papunësia është pothuajse 10 për qind.

Zonja Le Pen nuk ka shprehur mbështetje për asnjërin kandidat. Përkrahësit e saj si studentja Helene Justin, nuk dinë për kë të votojnë.

Studentja Justin thotë se asnjëri nga kandidatët nuk ia mbush mendjen plotësisht. Ajo i konsideron të dy si kandidatë që kujdesen vetëm për elitën. Pensionisti Gerard Virginier shpreh të njëjtat pikëpamje:

Ai thotë se të dy kandidatët janë të padëshirueshëm për të, por ka veçanërisht antipati për zotin Sarkozi i cili, thotë ai, vodhi axhendën e Frontit Kombëtar në vitin 2007 dhe kur u bë president nuk e respektoi atë.

Në këto kohë të vështira shumë francezë kanë përqafuar mesazhin e Frontit Kombëtar kundër Bashkimit Evropian dhe imigracionit. Afro një e pesta e votuesve hodhën votat për zonjën Le Pen në raundin e parë. Por nuk dihet si do të votojnë ata më 6 maj. Analisti Philip Whyte punon për Qendrën për Reforma Evropiane, me seli në Londër:

"Gjatë fushatës në raundin e dytë, zoti Sarkozi është përpjekur të tërheqë votuesit e Frontit Kombëtar. Ai ka bërë disa komente negative në drejtim të imigracionit. Po ashtu ai po flet më shumë për politika proteksioniste në aspektin ekonomik”.

Anketat tregojnë se zoti Sarkozi mund të mundet të dielën. Atij i mbeten fare pak ditë për të bindur votuesit e Frontit Kombëtar që ta mbështesin për një mandat të dytë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG